Analiza Postuar më 6 Nëntor 2025, 12:29

Sa para do të shkojnë për buxhetimin gjinor në 2026? Do të zgjerohet mbulimi i shërbimeve për nënat dhe bebet

Nga Eldiona Serani

Sa para do të shkojnë për buxhetimin gjinor në 2026? Do

Në buxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare ka vendosur ta thellojë angazhimin për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave e vajzave në të gjitha fushat e jetës. Buxheti i vitit 2026 ofron buxhetimin gjinor në programet e tyre, me një total prej mbi 84 miliardë lekësh, që përfaqëson 9.5% të buxhetit kombëtar. Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore 2021-2030, e cila përfshin pesë shtylla kryesore veprimi, do të vijojë të zbatohet përmes programeve konkrete në sektorë si arsimi, shëndetësia, drejtësia, bujqësia dhe kultura.

Në sektorin e shëndetësisë, për herë të parë do të financohet plotësisht ndërhyrja kirurgjikale për rikonstruksionin e gjirit për pacientet me kancer, nga e cila pritet të përfitojnë rreth 350 gra në vit. Po ashtu, do të zgjerohet mbulimi i shërbimeve për nënat dhe bebet, si dhe programet e depistimit të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës.

Në arsim, prioritet do të jetë mbështetja e vajzave nga zonat rurale dhe familjet në nevojë, me rreth 220 mijë nxënës që do të përfitojnë libra falas.
Në punësim dhe mbrojtje sociale, do të rritet ndihma financiare për gratë kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë dhe gratë e moshuara, me synimin për të zbutur pasojat ekonomike të inflacionit dhe për të lehtësuar riintegrimin në tregun e punës.

Gratë fermere do të kenë më shumë mundësi për të përfituar nga skemat e mbështetjes në bujqësi dhe për të marrë këshillim profesional, ndërsa në kulturë, prioritet do t’u jepet artisteve dhe artizaneve që promovojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.
Në drejtësi, do të zgjerohet ofrimi i ndihmës ligjore falas për gratë dhe vajzat në nevojë, si dhe programet e rehabilitimit për gratë që vuajnë dënime. Nga ana tjetër gratë e dhunuara, të cilat përbëjnë rreth 47% të përfituesve, do të vijojnë të mbështeten nga shërbimet sociale.

Qeveria thekson se këto masa janë në përputhje të plotë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, duke synuar një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse ku çdo grua dhe vajzë të ketë mundësinë të kontribuojë e të zhvillohet në mënyrë të barabartë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat