Analiza Postuar më 4 Shkurt 2026, 11:34

Sa mish konsumojnë shqiptarët? Rreth 75 kg në vit. Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe Greqia, importuesit kryesorë

Nga Xhorxhina Deda

Sa mish konsumojnë shqiptarët? Rreth 75 kg në vit. Brazili,

Shqiptarët konsumojë rreth 179 milionë kilogramë mish, bazuar në të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme dhe prodhimit vendas, referuar INSTAT. Nëse e përkthejmë këtë sasi në konsum për frymë, rezulton se një shqiptar konsumon mesatarisht 75.7 kilogramë mish në vit, ose 6.3 kilogramë në muaj, që përkthehet në rreth 207 gramë mish në ditë.

Krahasuar me vitet e mëparshme, konsumi për frymë rezulton në rritje, pavarësisht se prodhimi vendas i mishit ka vijuar të bjerë. Gjatë vitit 2024, prodhimi blegtoral i mishit u fiksua në rreth 130.3 mijë ton, nga mbi 148 mijë ton në vitin 2021. Ndërkohë, kërkesa në treg është mbuluar gjithnjë e më shumë nga importet.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 janë importuar rreth 48.6 milionë kilogramë mish dhe të brendshme të ngrënshme, ndërkohë që eksportet mbeten në nivele minimale, rreth 14.9 mijë kilogramë në total. “Scan Intel” përllogarit konsumin e mishit bazuar në shumat e importit dhe prodhimit vendas, duke zbritur eksportet, të cilat kanë një ndikim thuajse të papërfillshëm.

Por, çfarë peshe zë mishi i importuar në konsumin total?

Nga përllogaritjet rezulton se 27.2% e mishit që konsumohet në Shqipëri është import, ndërsa 72.8% mbulohet nga prodhimi vendas. Thënë ndryshe, nga rreth 75.7 kilogramë mish që konsumon mesatarisht një shqiptar në vit, mbi 20.6 kilogramë janë mish i importuar.

Por, nga cilat vende vjen mishi që ne konsumojmë?

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme për vitin 2024, Shqipëria importon pjesën dërrmuese të mishit nga 10 partnerë kryesorë, të cilët mbulojnë mbi 80% të totalit të importeve. Në vend të parë renditet Brazili, me rreth 13 milionë kilogramë mish, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, me 9.3 milionë kilogramë, Greqia me 9.1 milionë kilogramë, dhe Italia me rreth 4.9 milionë kilogramë.

Në listë pasojnë Paraguai me 2.45 milionë kilogramë, Polonia me rreth 2 milionë kilogramë, Gjermania me 1.68 milionë, Franca me 922 mijë kilogramë, Holanda me 770 mijë kilogramë dhe Kosova me 643 mijë kilogramë mish. Importet nga vendet e tjera, jashtë këtij grupi, arrijnë në rreth 3.8 milionë kilogramë.

Në total, probabiliteti që mishi i konsumuar në Shqipëri të ketë ardhur nga një prej këtyre 10 vendeve kryesore është rreth 23%, ndërsa shanset që ai të jetë me origjinë nga Brazili, SHBA apo Greqia janë secila mbi 5%.

Një faktor i rëndësishëm që ndikon në nivelin e lartë të konsumit të mishit për frymë është edhe rritja e ndjeshme e turizmit. Gjatë vitit 2024, Shqipëria ka regjistruar një numër rekord vizitorësh të huaj, çka ka rritur ndjeshëm kërkesën për produkte ushqimore, përfshirë mishin dhe nënproduktet e tij, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, bareve dhe restoranteve. Kjo do të thotë se një pjesë e konsumit të regjistruar nuk i atribuohet drejtpërdrejt popullsisë rezidente, por konsumit të turistëve, duke e shtrembëruar disi treguesin e konsumit për frymë dhe duke ushtruar presion shtesë mbi ofertën vendase.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat