Analiza Postuar më 21 Qershor 2025, 11:39

Sa më shumë punonjës, aq më pak drejtuese femra/ Raport më pozitiv në ndërmarrjet e vogla. Burrat kryesojnë në drejtim

Nga Eldiona Serani
Sa më shumë punonjës, aq më pak drejtuese femra/ Raport

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar së fundmi të dhëna të detajuara mbi aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve në Shqipëri për vitin 2024. Rezultatet e këtij raporti tregojnë se ekonomia shqiptare mbështetet kryesisht në ndërmarrje të vogla, ndërkohë që drejtimi i tyre vijon të dominohet nga meshkujt.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 në vend kanë operuar rreth 113 mijë ndërmarrje aktive të vogla, me 1 deri në 4 punonjës, duke treguar se natyra e sipërmarrjes në Shqipëri mbështetet në biznesin e vogël. Rreth 32.5%, rezultojnë të jenë të drejtuara nga gra, çka nënkupton se më pak se gjysma e bizneseve të këtij formati janë në pronësi apo drejtim femëror.

Tendenca e uljes së numrit të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë bëhet edhe më e theksuar me rritjen e numrit të punonjësve. Ndërmarrjet me 5 deri në 9 punonjës janë rreth 9,300 në total, por vetëm 24.8% prej tyre drejtohen nga gra, duke konfirmuar një tjetër nivel të ulët të përfaqësimit të tyre në strukturat drejtuese. Po ashtu, për bizneset me 10 deri në 49 punonjës, gratë sërish ishin më të pakta në drejtim me vetëm 23.3%

Në vitin 2024, në Shqipëri kanë qenë aktive vetëm 2,020 ndërmarrje me më shumë se 50 punonjës. Nga këto, vetëm 25.9% kanë pasur drejtuese femra, një shifër që tregon qartë një prani shumë të ulët të grave në krye të bizneseve të mëdha.

Pjesëmarrja më e lartë e grave në drejtimin e ndërmarrjeve vërehet në sektorin e “Shërbimeve të tjera”, ku gratë përfaqësojnë 40.9% të drejtuesve. Në vend të dytë renditet sektori i tregtisë, ku gratë zënë 33,9% të pozicioneve drejtuese.

Këto të dhëna tregojnë qartë dy prirje kryesore në peizazhin e biznesit shqiptar, dominimin e ndërmarrjeve të vogla dhe pabarazinë e theksuar gjinore në drejtim, veçanërisht në nivelet më të larta të sipërmarrjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat