Analiza Postuar më 17 Mars 2026, 11:15

Sa llogari bankare kanë të huajt në Shqipëri? Rekordi historik në 2025, pjesa më e madhe i përket individëve

Nga Scan TV

Sa llogari bankare kanë të huajt në Shqipëri? Rekordi

Numri i llogarive bankare të të huajve në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2025, duke arritur në nivelin më të lartë historik.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar individët dhe kompanitë jorezidente zotëronin 76,279 llogari bankare në sektorin bankar shqiptar. Krahasuar me vitin 2024, kur numri i tyre ishte 71,845, rezulton një rritje prej rreth 6%.

Sipas ndarjes së llogarive, pjesa dërrmuese e jorezidentëve që përdorin bankat shqiptare janë individë. Në vitin 2025, rreth 73,702 i përkasin individëve, ndërsa vetëm 2,577 janë në emër të kompanive. Kjo do të thotë se afro 97% e llogarive të jorezidentëve dominohen nga individët.

Ecuria në vite tregon një zgjerim të qëndrueshëm të këtij treguesi, sidomos pas vitit 2019-të. Megjithatë, tendenca nuk ka qenë lineare përgjatë gjithë periudhës. Pas një rritjeje të fortë në vitin 2011, kur numri i llogarive arriti në mbi 31 mijë, u shënua një rënie në vitet pasuese, përpara se treguesi të hynte në një trajektore të qëndrueshme rritjeje në dekadën e fundit.

Pavarësisht rritjes së numrit të llogarive të jorezidentëve, pesha e tyre ndaj totalit të sistemit bankar mbetet e ulët. Në vitin 2025, ato përbënin rreth 1.8% të totalit të llogarive, në rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, për shkak të zgjerimit më të shpejtë të llogarive të rezidentëve.

Zgjerimi i llogarive të jorezidentëve lidhet kryesisht me praninë e emigrantëve shqiptarë që mbajnë kursimet e tyre në bankat vendase, por edhe me rritjen e interesit të shtetasve të huaj për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.

Të dhënat sugjerojnë një thellim gradual të lidhjeve financiare të jorezidentëve me sektorin bankar shqiptar, megjithëse pesha e tyre në totalin e sistemit mbetet relativisht e kufizuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat