Analiza Postuar më 2 Korrik 2025, 11:11

Sa kushton parkingu? SCAN Intel analizon kostot

Nga Eldiona Serani

Sa kushton parkingu? SCAN Intel analizon kostot

Përdorimi i makinës është kthyer në një nevojë bazë për shumicën e njerëzve, por bashkë me përdorimin e saj vijnë edhe disa kosto të tjera. Përveç taksave apo shpenzimeve për riparime dhe dëmtime të ndryshme, një kosto më vete është edhe parkingu. Në të kaluarën, kur numri i makinave ishte relativisht i ulët, parkimi pranë vendbanimeve ishte më i lehtë dhe shpesh pa pagesë. Sot, me rritjen e numrit të makinave, parkimi është bërë një domosdoshmëri po aq sa edhe vetë përdorimi i saj.

Në bazë të çmimeve zyrtare, tarifat variojnë sipas orëve të parkimit, duke filluar nga 200 lekë deri në 800 lekë për ditë të zakonshme. “Scan Intel” ka shqyrtuar tarifat e parkingut publik në qytetin e Tiranës për të përcaktuar sa janë kostot vjetore që një individ duhet të paguajë për të siguruar një vend parkimi për makinën e tij

Parkingu publik në Tiranë sipas të dhënave nga bashkia ka çmime të ndryshme sipas zonave dhe orëve të përdorimit për ditët e javës. Zona A përfshin segmentet kryesore si Rruga Bardhyl, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Rruga “Pjetër Bogdani”, Bulevardi Gjergj Fishta dhe disa rrugë të tjera. Kostoja vjetore për një vend parkimi në këtë zonë varion nga 198,000 deri 438,000 lekë në vit.

Zona B është më e përballueshme dhe përfshin Bulevardin Bajram Curri, Rrugën e Kavajës, 5 Majin, Rrugën e Kosovareve, Rrugën “Petro Nini Luarasi” dhe segmente të tjera. Kostoja minimale për parkingun në këtë zonë fillon nga 79,200 lekë dhe shkon deri në 102,200 lekë në vit. Zona C ka çmimet më të ulëta nga të treja zonat dhe përfshin Bulevardin Migjeni, Rrugën Aleksandër Moisiu dhe rrugë të tjera. Kostoja minimale vjetore në këtë zonë fillon nga 39,000 lekë dhe arrin deri në 87,000 lekë.

Duke u bazuar në këto të dhëna, rezulton se mesatarisht në Zonën A një person duhet të paguajë rreth 283,972 lekë në vit për parking, në Zonën B kostoja mesatare është rreth 113,588 lekë në vit, ndërsa në Zonën C kjo shifër bie në rreth 56,794 lekë në vit. Në krahasim me pagën mesatare bruto në Shqipëri, ku 1-3 muaj muaj mund të shpenzohen vetëm për të mbuluar tarifat e parkingut, bëhet e qartë se parkimi po bëhet një nga shpenzimet më të konsiderueshme për drejtuesit e makinave në kryeqytet. Këto kosto janë zyrtare nga Bashkia e Tiranës për parkimet publike, por një pjesë banorësh përdorin edhe parkimet private të cilat kanë kosto të tjera informale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat