Analiza Postuar më 21 Korrik 2026, 11:09

Sa kushtoi energjia për një shqiptar gjatë 2025-ës? Shqipëria regjistroi shpenzimet më të ulëta në Ballkan

Nga Eldiona Serani

Sa kushtoi energjia për një shqiptar gjatë 2025-ës?

Sipas të dhënave të International Energy Agency (IEA), të përpunuara nga Visual Capitalist, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për energjinë dhe mban vendin e fundit në Ballkan për nivelin e këtyre shpenzimeve.

Raporti tregon se një person në Shqipëri shpenzoi mesatarisht 247 dollarë për energjinë e përdorur në familje gjatë 2025-ës, niveli më i ulët në rajon. Shifrat përfshijnë shpenzimet për energjinë elektrike, gazin, ngrohjen dhe lëndët e tjera djegëse të përdorura në banesa, por nuk përfshijnë kostot e energjisë për transport.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia regjistron nivelin më të lartë të shpenzimeve për energjinë familjare, me 587 dollarë për person në vit. Ajo ndiqet nga Maqedonia e Veriut me 451 dollarë, Mali i Zi me 424 dollarë dhe Kosova me 294 dollarë. Në fund të kësaj renditjeje rajonale pozicionohet Shqipëria, me vetëm 247 dollarë shpenzime për frymë.

Të dhënat tregojnë se vendet europiane dominojnë pjesën e sipërme të renditjes globale, ndërsa shumica e vendeve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine karakterizohen nga shpenzime dukshëm më të ulëta për energjinë familjare.

Sipas analizës, niveli i lartë i shpenzimeve nuk lidhet vetëm me çmimet e energjisë, por edhe me faktorë të tjerë ekonomikë dhe klimatikë. Vendet me klimë më të ftohtë kanë nevoja më të mëdha për ngrohje, ndërsa të ardhurat më të larta zakonisht shoqërohen me banesa më të mëdha dhe konsum më të lartë energjie, përfshirë përdorimin e sistemeve të kondicionimit. Gjithashtu, shumë shtete europiane përballen me çmime relativisht të larta të energjisë elektrike dhe gazit për konsumatorët.

Në nivel global, Suedia renditet në vendin e parë me 1,926 dollarë shpenzime vjetore për energjinë për person. Pas saj vijnë Finlanda me 1,786 dollarë dhe Austria me 1,709 dollarë, duke reflektuar kombinimin e klimës së ftohtë, standardit të lartë të jetesës dhe konsumit të lartë të energjisë.Në skajin tjetër të renditjes ndodhen disa vende afrikane, ku shpenzimet janë shumë më të ulëta. Senegali regjistron 89 dollarë për person në vit, Tunizia 72 dollarë, Egjipti 35 dollarë, ndërsa Algjeria mbyll renditjen me vetëm 29 dollarë shpenzime vjetore për energjinë.

Sa kushtoi energjia për një shqiptar gjatë 2025-ës?

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat