Analiza Postuar më 24 Tetor 2025, 10:31

Sa kredi për shtëpi kanë shqiptarët? Tre të katërtat e gjitha huave për banesa në vend janë dhënë në Tiranë

Nga Xhorxhina Deda

Sa kredi për shtëpi kanë shqiptarët? Tre të

Huaja për blerje banese në Shqipëri ka arritur në një rekord historik më një stok prej 230 miliardë lekësh në tremujorin e dytë të vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të “Bankës së Shqipërisë”. “Scan Intel” ka analizuar shifrat ndryshe këtë herë, duke vënë në fokus ndryshimin e huave për banesa përgjatë një dekade të plotë dhe peshën që ky borxh ka sot për çdo familje shqiptare. Në krahasim me vitin 2015, kur totali kombëtar i këtij treguesi ishte rreth 102.4 miliardë lekë, borxhi i shqiptarëve për banesë është dyfishuar në vetëm dhjetë vjet.

Kjo shifër përkthehet në rreth 2.3 miliardë euro, ndërsa në terma për banor, borxhi mesatar për shtëpi arrin sot në rreth 970 euro për frymë, ose rreth 3 mijë euro për familje, duke llogaritur një mesatare prej tre anëtarësh për familje dhe rreth 755 mijë familje në total.

Tirana, epiqendra e huasë për banesë, nga 63% në 74% të totalit kombëtar

Rritja e fortë e kredisë për banesa është përqendruar ndjeshëm në kryeqytet.
Në vitin 2015, Tirana përbënte 63% të totalit kombëtar të huave për blerje banesash.
Në vitin 2025, kjo peshë është ngjitur në rreth 74%, me një stok që ka arritur 169.6 miliardë lekë, nga vetëm 64.4 miliardë lekë dhjetë vite më parë. Kjo do të thotë se për çdo katër lekë kredi për banesa në Shqipëri, tre janë marrë në Tiranë.

Zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në kryeqytet, ndërtimet e reja në periferi dhe kërkesa e lartë për banesa si investim, kanë bërë që Tirana të përthithë pjesën më të madhe të financimit të sektorit, duke u shndërruar në një treg thuajse të vetëqëndrueshëm.

Durrësi, i dyti në renditje, por me peshë më të ulët se një dekadë më parë

Pas kryeqytetit, Durrësi vijon të jetë qarku me peshën e dytë më të madhe në tregun e huas për banesa. Në vitin 2015, ky qark përfaqësonte rreth 8% të totalit kombëtar, me një stok prej 7.9 miliardë lekësh. Sot, pesha e tij ka rënë në rreth 6%, ndonëse vlera absolute e kredisë është rritur ndjeshëm, duke arritur në 14.1 miliardë lekë.

Rritje në të gjitha qarqet, por përqendrim gjithnjë e më i madh në zonat urbane dhe bregdetare

Të dhënat tregojnë se rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe qarqet e tjera të vendit.
Vlora, për shembull, ka kaluar nga 4.2 miliardë lekë kredi për banesa në vitin 2015, në 5.9 miliardë lekë në vitin 2025, e ndjekur nga Fieri dhe Elbasani me rritje të ngjashme. Pjesa më e madhe e këtij financimi lidhet me ndërtimet turistike dhe shtëpitë e dyta, sidomos në zonat bregdetare, ku interesi për blerje banese nga vendasit dhe emigrantët ka qenë në rritje të qëndrueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat