Analiza Postuar më 16 Dhjetor 2025, 10:08

Sa fiton emigranti shqiptar jashtë? Greqia zhgënjimi më i madh. Shqiptarët marrin vetëm gjysmën e asaj që presin

Nga Xhorxhina Deda

Sa fiton emigranti shqiptar jashtë? Greqia zhgënjimi më i madh.

Ndërsa potenciali i të ardhurave të larta është një nxitës kryesor i vendimeve për largim nga vendi, emigrantët vazhdimisht i mbivlerësojnë të ardhurat e tyre të mundshme jashtë vendit, pavarësisht nga sfondi demografik ose destinacioni. Anketa e Migracionit 2024”, e përgatitur nga Banka Botërore dhe INSTAT zbulon një hendek të thellë mes asaj që emigrantët presin të fitojnë dhe realitetit që i pret jashtë vendit.

Sipas raportit, emigrantët shqiptarë, para largimit, presin të fitojnë mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj. Në praktikë, të ardhurat reale të tyre rezultojnë rreth 2,200 dollarë në muaj, pra vetëm pak më shumë se gjysma e pritshmërive fillestare. Ky model përsëritet pothuajse për të gjitha grupet demografike, pavarësisht gjinisë, nivelit arsimor apo vendit të destinacionit.

Edhe më dramatik është hendeku në kursime, të cilat përbëjnë arsyen kryesore të emigrimit. Emigrantët presin të kursejnë rreth 1,270 dollarë në muaj, por realisht arrijnë të vënë mënjanë vetëm rreth 450 dollarë. Kjo do të thotë se kursimet reale janë gati tre herë më të ulëta se sa ishte planifikuar përpara largimit.

Raporti thekson se ky hendek mes pritshmërive dhe realitetit është veçanërisht i theksuar në destinacione tradicionale si Greqia, ku informaliteti i punës, kontratat e pasigurta dhe kostot reale të jetesës i ulin ndjeshëm përfitimet ekonomike të migrimit. Megjithatë, fenomeni nuk kufizohet në një vend të vetëm, por shfaqet në të gjitha korridoret kryesore të migracionit shqiptar.

Kjo situatë nuk mund të reduktohet në zhgënjim individual. Ajo tregon një problem më të thellë strukturor, mungesën e informacionit të besueshëm dhe zyrtar për emigrimin. Raporti vëren se shumica e emigrantëve largohen pa orientim formal, pa të dhëna reale mbi pagat, kursimet dhe kushtet e punës, duke u mbështetur kryesisht te rrjetet informale, të afërmit apo përvojat e dëgjuara.

Raporti i Bankës Botërore dhe INSTAT e bën të qartë se emigrimi mund të jetë zhvillimor vetëm nëse bazohet në informacion të saktë dhe përgatitje reale. Përndryshe, ai mbetet një zgjedhje e ndërtuar mbi iluzione, me kosto të larta për individin, familjen dhe vetë shoqërinë shqiptare.

Vetëm një pakicë e migrantëve potencialë kanë akses në shërbime formale për të mbështetur udhëtimin e tyre të emigrimit, me të kthyerit që tregojnë angazhim veçanërisht të ulët. Vetëm 5% kanë përdorur agjenci private punësimi dhe 2% kanë përdorur shërbime publike punësimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat