Analiza Postuar më 22 Tetor 2025, 11:21

Sa e zhvilluar është Shqipëria teknologjikisht? Raporti rendit SHBA-në dhe Izraelin në krye të listës

Nga Eldiona Serani

Sa e zhvilluar është Shqipëria teknologjikisht? Raporti rendit

Në një botë ku teknologjia po përparon me shpejtësi marramendëse, vetëm disa vende të zgjedhura po e ripërcaktojnë në mënyrë të thellë mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe lidhemi me njëri-tjetrin.
Raporti i fundit i CeoWorld vë në qendër të vëmendjes shtetet ku teknologjia është integruar në mënyrë natyrale në jetën e përditshme, duke transformuar shërbimet publike, revolucionarizuar arsimin, riformësuar industritë dhe riimagjinuar planifikimin urban.

Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria renditet në vendin e 163-të, me një vlerësim prej 56.41 pikësh. Edhe pse nuk renditet ndër vendet më të zhvilluara në botë, Shqipëria ruan një raport pozitiv në aspektin teknologjik dhe pritet të shënojë avancime të mëdha në vitet e ardhshme. Kjo lidhet ngushtë me reformat e fundit, si krijimi i Ministrisë së Inteligjencës Artificiale (IA) dhe dixhitalizimi i shumë proceseve të administratës publike, që në të ardhmen do të mbikqyren nëpërmjet sistemeve të bazuara në inteligjencë artificiale.

Në krye të renditjes qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten vendi më i përparuar teknologjikisht për vitin 2025, duke udhëhequr në sektorë si Inteligjenca Artificiale, Bioteknologjia dhe inovacionet digjitale. Menjëherë pas tyre vjen Izraeli, i njohur për zhvillimet e tij të shumta në fushën e teknologjisë dhe për ekosistemin e fuqishëm të startupeve që po formësojnë të ardhmen e teknologjisë globale.

Në anën tjetër të spektrit, raporti vë në dukje vendet që përballen me vështirësi të mëdha në përparimin teknologjik. Pakistani renditet në krye të listës së vendeve më pak të zhvilluara teknologjikisht, për shkak të qeverisjes së dobët dhe  mungesës së stabilitetit. Pas tij vijojnë Jemeni, Afganistani, Siria dhe Timori Lindor, të cilët përballen me sfida të thella që lidhen me mungesën e infrastrukturës, investimeve dhe qasjes së gjerë në arsim e teknologji.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat