Analiza Postuar më 28 Gusht 2025, 12:33

Sa e përdorën shqiptarët internetin nga pajisjet inteligjente? Eurostat na rendit të parafundit në Evropë. Polonia, më keq se ne

Nga Eldiona Serani

Sa e përdorën shqiptarët internetin nga pajisjet inteligjente?

Telefoni dhe kompjuteri vijojnë të jenë pajisjet kryesore për lidhjen me internetin, por kohët e fundit teknologjia “smart” po fiton gjithnjë e më shumë terren. iPad-et, orët inteligjente dhe pajisjet e tjera të ngjashme kanë hyrë fuqishëm në përdorimin e përditshëm të qytetarëve, duke ndryshuar mënyrën sesi lidhemi me botën online.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 70.9% e qytetarëve të Bashkimit Europian përdorën pajisje të lidhura me internetin, të njohura si Interneti i Gjërave (IoT). Ky është një tregues i qartë i përhapjes së gjerë të teknologjisë inteligjente në kontinent.

Por si paraqitet situata në Shqipëri? Statistikat tregojnë se 49.7% e popullsisë e ka përdorur internetin përmes pajisjeve “smart”. Një shifër që mund të konsiderohet relativisht e lartë, duke marrë parasysh moshën e tretë që përbën shumicën e popullsisë. Megjithatë, krahasuar me rajonin, Shqipëria renditet e fundit. Bosnja dhe Hercegovina kryeson me 60.6% të përdoruesve, e ndjekur nga Serbia me 60.49% dhe Maqedonia e Veriut me 54.59%. Pak më lart se Shqipëria gjendet Mali i Zi me 52.7%.

Edhe në rang kontinenti, vendi ynë nuk paraqitet në pozita shumë të favorshme, duke u renditur mes tre shteteve të fundit. Në krye të listës qëndron Holanda, ku 94.8% e popullsisë përdor pajisje të lidhura me internetin, e ndjekur nga Irlanda (90.6%) dhe Danimarka (87%). Në krahun tjetër, shifrat më të ulëta u regjistruan në Poloni (46.1%) dhe Bullgari (50.8%).

Ndërsa Evropa po ecën me shpejtësi drejt një jete gjithnjë e më të lidhur me teknologjinë ‘smart’, Shqipëria gjendet ende në garën për të mos mbetur prapa. Sfida nuk është vetëm përdorimi i pajisjeve, por edhe përshtatja me një mënyrë jetese ku interneti nuk është më thjesht mjet, por pjesë e pandashme e përditshmërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat