Analiza Postuar më 26 Janar 2026, 11:02

Rritje rekord e importeve bulmetore në vitin 2025/ Për çdo 1 lek të fituar nga eksporti, shpenzohen mbi 12 lekë për import

Nga Xhorxhina Deda

Rritje rekord e importeve bulmetore në vitin 2025/ Për çdo 1

Të dhënat për importet e grupit “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” për periudhën 2005-2025 tregojnë një rritje të vazhdueshme dhe shumë të fortë si në peshë, ashtu edhe në vlerë. Kjo prirje nuk mund të shpjegohet thjesht me rritje konsumi apo përmirësim standardesh, por lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e prodhimit vendas të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Më herët “Scan Intel” ka analizuar prodhimin e qumështit, nga ku rezulton se për vitin 2024, në territorin shqiptar janë grumbulluar gjithsej rreth 95 mijë tonë qumësht. Krahasuar me një vit më parë, kjo sasi është ulur me 6.6%. (shiko këtu)

Në vitin 2005, importet në peshë ishin rreth 10.8 mijë ton, ndërsa në vitin 2025 arrijnë në 36.8 mijë ton, pra më shumë se 3.3 herë rritje brenda 20 vjetësh. Paralelisht, importet në vlerë rriten nga 1.25 miliardë lekë në 7.74 miliardë lekë, që do të thotë një rritje mbi 6 herë.

Krahasuar me vitin 2024, importet e bulmetit janë rritur në vlerë me rreth 14%.

Në vitin 2025, eksportet në vlerë për produktet bulmetore, vezët dhe mjaltin janë 629 milionë lekë, ndërkohë që importet në vlerë arrijnë 7.7 miliardë. Kjo do të thotë se eksportet mbulojnë vetëm rreth 8% të importeve. Me fjalë të tjera, për çdo 1 lek të fituar nga eksporti, shpenzohen mbi 12 lekë për import.

Kjo krijon një deficit tregtar shumë të thellë, rreth 7.1 miliardë vetëm për këtë grup produktesh.

Po nga cilat vende furnizohemi për këtë kapitull?

Struktura e partnerëve tregtarë për importet e produkteve bulmetore tregon një përqendrim të lartë nga disa vende kyçe europiane. Italia dominon qartë me 33.4% të totalit të importeve, duke u pozicionuar si furnizuesi kryesor i tregut vendas. Pas saj vijnë Gjermania me 12.2% dhe Greqia me 9.3%, të cilat, së bashku me Italinë, mbulojnë mbi gjysmën e importeve totale. Një peshë të konsiderueshme kanë edhe Serbia me 8.8%, Holanda me 4.6% dhe Hungaria me 4.0%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat