Analiza Postuar më 16 Dhjetor 2025, 11:42

Rritet volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë/ Hidrokarburet dhe artikujt jo-ushqimorë nxisin zgjerimin vjetor me 6%

Nga Eldiona Serani

Rritet volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë/ Hidrokarburet dhe

Shitjet në dyqanet dhe tregjet e Shqipërisë po rriten me ritme të qëndrueshme këtë vit, edhe pse zgjerimi duket se ka ngadalësuar pak hapin. Indeksi i tregtisë me pakicë arriti 136,7 pikë në tremujorin e dytë, duke shënuar 6% rritje krahasuar me vitin e kaluar dhe 1.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Një vit më parë tregtia me pakicë rritej me 6.4%. Por, gjithësesi, të dhënat tregojnë që sektori i tregtisë po ecën mirë dhe njerëzit po blejnë më shumë, ndikuar edhe nga turizmi.

Gjatë kësaj periudhe, të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë se në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur me 1.3% krahasuar me tremujorin paraardhës. Kjo rritje reflekton një kërkesë të qëndrueshme për produkte jo energjetike dhe mallra të konsumit të përditshëm.

Nga ana tjetër, një rritje më e ndjeshme është vërejtur në grupin “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, ku volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 3.4% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Ky zhvillim lidhet kryesisht me rritjen e konsumit të karburanteve dhe lëvizjen më të madhe ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Sa i përket ndikimit të grupeve në ndryshimin vjetor prej +6% në tremujorin e tretë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kontributet janë shpërndarë në disa sektorë kryesorë. Grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka kontribuar me +1.8 pikë përqindje, ndërsa grupi “Ushqime, pije dhe duhan në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka dhënë gjithashtu një kontribut prej +1.8 pikë përqindje. Ndërkohë, ndikimin më të madh e ka pasur grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, me +2.4 pikë përqindje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat