Rritet numri i filipinasve dhe indianëve,që vijnë për punësim/ Më shumë të huaj qëndruan në Shqipëri gjatë 2024-ës
Nga Eldiona Serani
Gjatë vitit 2024, Shqipëria ka mirëpritur një numër gjithnjë në rritje të të huajve që kanë zgjedhur të jetojnë apo punojnë këtu. Në fund të vitit, rezultoi se në vend ndodheshin 21,940 të huaj me leje qëndrimi, çka përbën një rritje prej 2.2% krahasuar me vitin 2023. Pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj, përkatësisht 61.9%, ndërsa femrat përfaqësojnë 38.1% të totalit. Mosha që dominoi më shumë ishte ajo mes 30 dhe 39 vjeç, duke treguar se shumica e të huajve aktivë në Shqipëri janë në moshë pune dhe produktive.
Interesimi për të qëndruar në Shqipëri ka ardhur duke u shtuar: numri i aplikimeve për leje qëndrimi është rritur me 6% gjatë vitit 2024. Ndër aplikantët, një pjesë e konsiderueshme vijnë nga Italia dhe India, të cilët së bashku përbëjnë 28.8% të të gjithë aplikimeve.
Europa vijon të jetë kontinenti prej nga vijnë më së shumti të huajt që jetojnë në Shqipëri konkretisht, 65.5% e tyre, megjithatë kjo përqindje ka shënuar një rënie prej 5.6% në krahasim me vitin e kaluar. Ndryshe ka ndodhur me Azinë, nga ku ka pasur një rritje të ndjeshme prej 20.1%, dhe me vendet e Amerikës, Afrikës dhe Oqeanisë, që së bashku kanë shënuar një rritje prej 23.4%.
Ndër shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri, numrin më të madh e përbëjnë ata nga Kosova, Italia dhe Turqia. Sa i përket qëllimit të qëndrimit, punësimi mbetet arsyeja kryesore: mbi gjysma e të huajve (54.3%) kanë marrë leje qëndrimi për arsye pune. Më pas vijnë ata që vijnë për bashkim familjar (24.5%), për arsye të tjera (16.3%), për studime (4%) apo për arsye humanitare (0.9%).
Një zhvillim pozitiv është ulja e ndjeshme e numrit të të huajve të parregullt në territorin shqiptar. Gjatë vitit 2024 u identifikuan 1,540 raste të tilla, shumë më pak se në vitin 2023, kur u regjistruan 6,630 persona në kushte të parregullta.Kjo gjë nënkupton rritjen e interesit të të huajve për të jetuar në Shqipëri, por edhe për një qasje më të rregullt dhe të kontrolluar ndaj migracionit.
Gjatë vitit 2024, të huajt me origjinë nga Kosova përbëjnë grupin më të madh, me 4,592 banorë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 23.7% në krahasim me vitin 2023. Edhe numri i shtetasve italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri ka ardhur në rritje, ndërkohë në vendin e katërt dhe të pestë renditen shtasit indinanë dhe filipinas. Ardhja e këtyre shtetasve në vend është jo-karakteristike pasi janë larg territorit por vitet e fundit po shtohen më shumë këta banorë kryesisht për arsye punësimi.