Analiza Postuar më 17 Korrik 2025, 10:25

Rriten me 67% rastet e incidenteve online/ Vajzat më të prekura. Tirana, Durrësi dhe Kukësi paraqesin më shumë probleme

Nga Eldiona Serani

Rriten me 67% rastet e incidenteve online/ Vajzat më të prekura.

Qëndrimi në internet, ndonëse është bërë një nevojë e përditshme për arsye të ndryshme, mbart edhe pasoja të rëndësishme. Këto rreziqe bëhen edhe më të theksuara kur bëhet fjalë për fëmijët, por nuk përjashtohen as të rriturit, të cilët gjithashtu janë përballur me raste të bullizmit dhe kërcënimeve online. Incidentet më të shpeshta që raportohen lidhen me forma si shantazhi, përndjekja dhe frikësimi në rrjet, duke përbërë një kërcënim serioz për fëmijët dhe të rinjtë.

Sipas raportit të platformës iSIGURT.al, që përfshin periudhën Janar–Dhjetor 2024, janë regjistruar gjithsej 407 raste problematike, një rritje prej gati 67% krahasuar me vitin e kaluar. Tirana mban numrin më të lartë të raportimeve me 48%, ndërsa edhe qytetet si Durrësi dhe Kukësi tregojnë shifra të larta.

Vajzat dhe gratë rezultojnë të jenë jo vetëm viktimat më të prekura, por edhe ato që raportojnë më shpesh ngjarje të tilla. Statistikat tregojnë se 62% e raportimeve janë bërë nga vajza, 34% nga djem, ndërsa në 4% të rasteve gjinia nuk është specifikuar. Shumica e viktimave janë fëmijë të gjinisë femërore.

Sa i përket kategorive, grupmosha 15–18 vjeç është ajo që ka përjetuar më shumë shqetësime gjatë përdorimit të internetit dhe platformave digjitale, e ndjekur nga grupi 19–24 vjeç.

Raporti thekson se TikTok është platforma me numrin më të madh të raportimeve, me 209 raste, e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Megjithatë, vlen të përmendet se TikTok ka reaguar më shpejt ndaj raportimeve, duke mbyllur ose bllokuar llogaritë problematike brenda një kohe të shkurtër.

Në një kohë kur interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, është thelbësore që përdoruesit, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, të jenë të ndërgjegjësuar për rreziqet që mund të vijnë nga hapësirat dixhitale. Rritja e incidenteve online tregon për nevojën urgjente të edukimit dhe mbrojtjes kibernetike, si dhe për përgjegjësi më të madhe nga platformat sociale.

Shqipëria 17 Korrik Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur ditën në rënie edhe pse nuk ka pësuar lëvizje të ndjeshme të vlerës nga dita e djeshme teksa është blerë sot me 83.4 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat