Analiza Postuar më 23 Shtator 2025, 10:10

Rreth 7 në 10 shqiptarë ndihen të sigurt natën/ Vendi ynë më i sigurt se disa vende fqinje, por na e kalon Kosova

Nga Xhorxhina Deda

Rreth 7 në 10 shqiptarë ndihen të sigurt natën/ Vendi

Raporti i fundit i Gallup Global Safety Report 2025 sjell një panoramë të qartë mbi perceptimin e sigurisë në mbarë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se, ndonëse shpesh perceptimi publik brenda vendit është i mbushur me pasiguri dhe ankth për kriminalitetin, të dhënat ndërkombëtare e vendosin Shqipërinë në një pozicion relativisht pozitiv krahasuar me shumë vende të tjera të rajonit dhe të Europës.

Në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, Shqipëria regjistron 85 pikë, duke u pozicionuar mbi Italinë, e cila ka 82, dhe shumë më lart se Greqia, e cila renditet me vetëm 73 pikë. Ky rezultat tregon se qytetarët shqiptarë kanë një nivel më të lartë besimi tek institucionet e rendit krahasuar me fqinjët jugorë. Megjithatë, krahasuar me Kosovën, e cila shënon 94 pikë, Shqipëria mbetet pas, duke reflektuar diferencat në përvojën e sigurisë që kanë qytetarët në të dy anët e kufirit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është perceptimi i qytetarëve për sigurinë gjatë natës. Në Shqipëri, 71% e të anketuarve thonë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm natën në zonën ku jetojnë. Ky nivel është i njëjtë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, dhe dukshëm më i lartë se ai i Italisë, ku vetëm 60% e qytetarëve ndihen të sigurt, apo i Greqisë me 64%. Një kontrast i fortë shfaqet me Kosovën, ku pothuajse 9 nga 10 qytetarë raportojnë se ndihen të sigurt natën, duke e bërë atë një nga vendet me përmirësimet më të dukshme në rajon.

Në një kontekst më të gjerë, Shqipëria qëndron dukshëm larg niveleve të vendeve të kryesuara nga Singapori, ku 98% e popullsisë shprehet se ndihet e sigurt, apo Tajikistani me 95%.

Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria renditet më lart se Italia, Greqia, Serbia dhe Bosnja, është afër Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, por më poshtë se Mali i Zi dhe Kosova. Pra, Shqipëria është në mes të rajonit, më e sigurt se disa vende të BE-së fqinje, por ende larg nivelit të Kosovës dhe Malit të Zi. Klikoni këtu për raportin e plotë

     Rreth 7 në 10 shqiptarë ndihen të sigurt natën/ VendiRreth 7 në 10 shqiptarë ndihen të sigurt natën/ Vendi

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat