Analiza Postuar më 8 Shtator 2025, 10:36

Rreth 1 në 5 nxënës zgjedh një zanat/ Pesha e tyre brenda totalit të nxënësve në gjimnaz, me rritje të qëndrueshme

Nga Xhorxhina Deda

Rreth 1 në 5 nxënës zgjedh një zanat/ Pesha e tyre brenda

Interesi për arsimin profesional në Shqipëri tregon një dinamikë interesante gjatë viteve të fundit. Ndërsa numri i nxënësve që zgjedhin këtë rrugë ka pësuar një ulje të lehtë në terma absolutë, duke ndjekur tendencën e përgjithshme të zvogëlimit të popullsisë shkollore, përqindja e tyre brenda totalit të nxënësve në gjimnaz ka shënuar një rritje të qëndrueshme.

Në vitin 2012, 19,596 nxënës ndiqnin arsimin profesional, që përbënte rreth 12.7% të të gjithë nxënësve në gjimnaz. Pas dhjetë vitesh, në vitin 2024, ky numër absolut ka pësuar një ulje të lehtë në 16,987 nxënës, por peshën ndaj totalit të gjimnazit e ka rritur në 19%. Kjo tregon se, megjithëse popullsia shkollore përgjithësisht është duke u zvogëluar, arsimi profesional po tërheq një pjesë më të madhe të të rinjve që zgjedhin rrugën e shkollimit të specializuar.

Trendi i rritjes së peshës së arsimit profesional është i dukshëm që nga viti 2013, kur kjo përqindje ishte 15%, duke arritur gradualisht 18-19% në vitet e fundit.

Sipas shifrave të analizuara nga “Scan Intel”, nga rreth 89 mijë nxënës në total në arsimin e mesëm, del se afërsisht 1 në 5 nxënës zgjedh arsimin profesional.

Ky rritje në përqindje është gjithashtu një tregues pozitiv për zhvillimin ekonomik dhe social, pasi arsimi profesional përgatit punonjës të aftë dhe të specializuar, duke ndihmuar në fuqizimin e tregut të punës dhe duke ofruar mundësi reale për të rinjtë që të integrohen shpejt në ekonomi. Në këtë kontekst, investimi në arsimin profesional mbetet një prioritet strategjik për të ardhmen e të rinjve dhe të vendit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, të dhënat nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, flasin për një numër prej mbi 4,000 regjistrime të reja në arsimin profesional për vitin akademik 2025-2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat