Analiza Postuar më 9 Janar 2026, 11:44

Roaming Free në rajon, çfarë po fitojnë bizneset shqiptare? RCC: 44% e tyre shohin lehtësim në komunikim, 31% raportojnë ulje kostosh

Nga Eldiona Serani

Roaming Free në rajon, çfarë po fitojnë bizneset

“Roaming Free” në Ballkanin Perëndimor ka sjellë ndryshime të prekshme në mënyrën se si bizneset operojnë në rajon, por ndikimi i tij nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha vendet. Të dhënat më të fundit nga Balkan Barometer 2025 tregojnë se në Shqipëri, efekti kryesor i këtij regjimi lidhet më shumë me lehtësimin e komunikimit sesa me uljen direkte të kostove të operimit.

Sipas anketës, 44% e bizneseve shqiptare deklarojnë se roaming-u pa tarifa ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin me partnerët në rajon, duke e bërë më të thjeshtë bashkëpunimin ndërkufitar, kontaktet e shpeshta dhe koordinimin e aktiviteteve. Ky tregues e pozicionon Shqipërinë afër mesatares rajonale dhe tregon se për kompanitë shqiptare, përfitimi kryesor është funksional dhe operacional.

Nga ana tjetër, vetëm 31% e bizneseve në Shqipëri shohin një ulje të kostove të operimit si rezultat direkt i regjimit “Roaming Free”. Ky nivel është më i ulët se mesatarja e rajonit dhe dukshëm më poshtë krahasuar me vende si Bosnje &Hercegovina apo Mali i Zi, ku perceptimi për kursime financiare është shumë më i lartë. Kjo sugjeron se për bizneset shqiptare, kostot e roaming-ut nuk kanë qenë domosdoshmërisht një barrë kryesore, ose se përfitimet financiare nuk janë reflektuar ende plotësisht në bilancet e tyre.

Ndërkohë, 44% e bizneseve shqiptare deklarojnë se regjimi “Roaming Free” nuk ka pasur asnjë ndikim në aktivitetin e tyre. Ky është një nga përqindjet më të larta në rajon dhe sinjalizon se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve ose operojnë kryesisht brenda tregut vendas, ose nuk kanë shfrytëzuar ende potencialin e bashkëpunimit rajonal që ky regjim ofron.

Po ashtu, 22% e bizneseve në Shqipëri shprehen se nuk janë të informuara për ekzistencën e regjimit “Roaming Free”.Ndërkohë dhe tarifat roaming për Shqipërinë  me Bashkimin Europian do të marrin fund në 2026. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, në tryezën e përbashkët me komisioneren për zgjerimin, Marta Kos dhe 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat