Analiza Postuar më 23 Shtator 2025, 12:55

Rënia e euros “trazon” bilancin tregtar/ Në tetë muaj eksportet përfaqësojnë diçka më pak se gjysmën e vlerës së importeve

Nga Xhorxhina Deda

Rënia e euros “trazon” bilancin tregtar/ Në tetë muaj

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instat dhe të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë një zhvillim të rëndësishëm në bilancin tregtar të vendit gjatë periudhës Janar-Gusht të vitit 2025. Norma e mbulimit të eksporteve ndaj importeve ka arritur në 45.4%, duke shënuar një përmirësim krahasuar me vitin 2024 kur kjo normë ishte 42.9%, për shkak të rimëkëmbjes së eksporteve. Kjo normë do të thotë se eksportet gjatë këtij viti, në vlerë, përfaqësojnë diçka më pak se gjysmën e vlerës së importeve.

Gjatë vitit 2024 dhe 2025, ekonomia shqiptare është përballur me një fenomen të veçantë që ka ndikuar ndjeshëm në tregtinë e jashtme, rënia e euros ndaj lekut. Ky zhvlerësim i monedhës europiane ka sjellë pasoja të dukshme në vlerësimin e eksporteve, duke ndikuar negativisht në normën e mbulimit të tyre ndaj importeve. Edhe pse sasia e mallrave të eksportuar mund të jetë e qëndrueshme, të ardhurat e konvertuara në lekë janë më të ulëta, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një raporti të favorshëm tregtar

Në vitin 2021 dhe 2022, norma e mbulimit ishte fikse në 54% duke përfaqësuar kulmin e performancës tregtare të vendit në dekadën e fundit. Por, duhet të mbajmë në konsideratë faktin se përgjatë kësaj periudhe vlerat ishin të ndikuara nga rritja e çmimeve për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë. Kjo do të thotë se eksportet përfaqësonin më shumë se gjysmën e vlerës së importeve, një arritje që nuk ishte regjistruar më parë në historikun e 8-mujorëve të parë të viteve të mëparshme. Për krahasim, në vitin 2023 kjo normë ishte 51.9%, ndërsa në vitin 2020 dhe 2019 fiksohej përkatësisht në 47.8% dhe 46.7%.

Brenda të njëjtës analizë sa i përket ndikim të krizës te eksportet dhe te importet shohim se gjatë tetë muajve, eksportet shqiptare kanë kushtuar mesatarisht 87 lekë për kilogram, ndërkohë që në vitin e kaluar kushtonin 90 lekë për kilogram. Pra, kemi të bëjmë me një rënie. Ndërkohë, importet në të njetën periudhë kushtonin mesatarisht 132 lekë për kilogram, ndërsa një vit më parë, 141 lekë për kilogram.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat