Analiza Postuar më 13 Korrik 2026, 11:18

Rekord mjalti, por pas shifrave fshihet një rënie/ Shtohet prodhimi, dobësohet produktiviteti i koshereve

Nga Xhorxhina Deda

Rekord mjalti, por pas shifrave fshihet një rënie/ Shtohet prodhimi,

Prodhimi i mjaltit në Shqipëri arriti nivelin më të lartë të regjistruar në dy dekadat e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2025 u prodhuan gjithsej 6,299 tonë mjaltë, nga 5,940 tonë në vitin 2024.

Në harkun e një viti, prodhimi u rrit me 359 tonë, ose rreth 6%. Krahasuar me vitin 2005, kur prodhimi ishte 1,816 tonë, sasia e mjaltit të prodhuar në vend është rritur me rreth 247%, duke u bërë afro 3.5 herë më e lartë.

Korça ishte qarku me prodhimin më të madh gjatë vitit 2025, me 1.006 tonë mjaltë, ose rreth 16% të totalit kombëtar. Në vendin e dytë renditet Vlora me 855 tonë, e ndjekur nga Elbasani me 825 tonë. Vetëm këto tri qarqe siguruan më shumë se 42% të prodhimit të përgjithshëm.

Korça dha edhe shtesën më të madhe në volum krahasuar me një vit më parë, me 98 tonë më shumë. Rritje të fortë shënoi Gjirokastra, ku prodhimi u zgjerua me rreth 27%, nga 299 në 379 tonë. Prodhimi u rrit gjithashtu në Shkodër, Tiranë, Lezhë, Dibër, Elbasan, Berat dhe Durrës.

Në kahun tjetër, rënie u regjistrua në Fier, ku prodhimi zbriti me rreth 5.4%, në Kukës me 2.6% dhe në Vlorë me 0.5%.

Megjithëse prodhimi i përgjithshëm arriti rekord, rendimenti mesatar vijoi të dobësohej. Në vitin 2025 u prodhuan mesatarisht 10.2 kilogramë mjaltë për koshere, nga 10.3 kilogramë një vit më parë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në serinë e të dhënave që nis në vitin 2010.

Krahasuar me vitin 2019, kur rendimenti ishte 14.2 kilogramë për koshere, produktiviteti ka rënë me rreth 28%. Ndërsa kundrejt nivelit maksimal prej 18.3 kilogramësh të regjistruar në vitin 2015, rënia arrin në më shumë se 44%.

Elbasani kishte rendimentin më të lartë në vend, me 17.1 kilogramë për koshere, i ndjekur nga Korça me 11.9 kilogramë dhe Shkodra me 10.5 kilogramë. Rendimenti më i ulët, prej 8 kilogramësh për koshere, u regjistrua në Gjirokastër, Kukës dhe Lezhë.

Rritja e prodhimit të përgjithshëm, e shoqëruar me uljen e rendimentit mesatar, sugjeron se zgjerimi ka ardhur kryesisht nga shtimi i numrit të koshereve dhe jo nga përmirësimi i produktivitetit të tyre.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat