Analiza Postuar më 14 Nëntor 2025, 12:39

Regjistrimet e bizneseve të reja pësuan rritje/ 7.2% më shumë në tremujorin e tretë. Tejkaluam mesataren europiane

Nga Eldiona Serani

Regjistrimet e bizneseve të reja pësuan rritje/ 7.2% më

Tremujori i tretë i vitit 2025 solli zhvillime në ecurinë ekonomike të Europës. Sipas të dhënave të publikuara, regjistrimet e reja të bizneseve në vendet e BE-së u rritën me 4% krahasuar me tremujorin e dytë. Megjithatë, panorama nuk ishte tërësisht pozitive, pasi falimentimet e kaluan këtë ritëm, duke u rritur me 4.4% në të njëjtën periudhë.

Regjistrimet e bizneseve u rritën në të gjithë sektorët e ekonomisë. Performanca më e fortë u shënua në sektorin e informacionit dhe komunikimit (+6%), ndjekur nga ndërtimi (+5.9%) dhe transporti (+5.5%).

Në vendin tonë, dinamika rezultoi edhe më e fortë. Shqipëria shënoi një rritje prej 7.2% në regjistrimet e bizneseve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Nëse krahasimi bëhet me tremujorin e mëparshëm, rritja arrin gati 10%, duke treguar një klimë të qëndrueshme të hapjes së iniciativave të reja ekonomike.

Ndër vendet e rajonit, Shqipëria rezulton me ecuri pozitive, ndërsa Mali i Zi shënoi një rënie të lehtë prej 0.3% nga viti i kaluar.

Në rang europian, vendet që kryesuan me më shumë regjistrime të reja biznesesh ishin Estonia, Luksemburgu dhe Danimarka. Ndërkohë, ulje të ritmit treguan Qipro, Austria dhe Finlanda.

Të dhënat e falimentimeve në Europë për tremujorin e tretë 2025 paraqitën një tablo të përzier. Në total, rritje u regjistrua në 5 sektorë, ndërsa 3 sektorë pësuan rënie.

Sektori i akomodimit dhe ushqimit pati rritjen më të lartë të falimentimeve me +20.7%, i ndjekur nga transporti (+18.7%) dhe shërbimet financiare (+14.1%) sinjal se presionet ekonomike po prekin fort industri të caktuara.

Këto të dhëna tregojnë se, ndonëse iniciativa të reja ekonomike po shtohen, pasiguritë dhe kostot e larta vazhdojnë të mbajnë të lartë edhe ritmet e falimentimeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat