Analiza Postuar më 31 Gusht 2026, 10:40

“Real Estate” dhe turizmi, në fokus të bankave/ Bizneset marrin 172.9 miliardë lekë kredi të reja në 7 muaj

Nga Xhorxhina Deda

“Real Estate” dhe turizmi, në fokus të bankave/ Bizneset

Kredia e re për biznesin u rrit ndjeshëm gjatë muajit Korrik. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë’, korporatat private jofinanciare morën 24.2 miliardë lekë kredi të reja, nga 19.1 miliardë lekë në korrikun e vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 26.8%.

Tregtia vijon të mbajë peshën kryesore të financimit. Bizneset e tregtisë me shumicë dhe pakicë morën rreth 9.2 miliardë lekë kredi të reja në korrik, 8.5% më shumë se një vit më parë. Në shtatë muajt e parë të vitit, ky sektor ka përfituar mbi 68 miliardë lekë, duke përfaqësuar pjesën më të madhe të huasë së re për biznesin.

Rritje e fortë u regjistrua te sektori i energjisë. Kreditë e reja arritën në 1.16 miliardë lekë në korrik, më shumë se dyfishi i nivelit të një viti më parë. Në periudhën Janar-Korrik, financimi për energjinë arriti në afro 9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 94.3%.

Edhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor vijuan të tërheqin më shumë financim. Në korrik, kreditë e reja për këtë sektor arritën në rreth 2 miliardë lekë, 66% më shumë se një vit më parë. Për të gjithë periudhën Janar-Korrik, huadhënia arriti në 14.9 miliardë lekë, duke u rritur me 65.6%.

Rritje të ndjeshme shënuan edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme. Kredia e re për këtë aktivitet arriti në 730 milionë lekë në korrik, rreth 57% më shumë se një vit më parë. Në shtatë muaj, financimi për këtë sektor ka kaluar 5.8 miliardë lekë, më shumë se dyfishi i së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndërtimi gjithashtu shënoi rritje, me rreth 2.95 miliardë lekë kredi të reja në korrik, 39% më shumë në bazë vjetore. Ndërsa industria përpunuese mori rreth 3.5 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 30% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Në tërësi, gjatë periudhës Janar-Korrik 2026 bizneset morën 172.9 miliardë lekë kredi të reja, nga 151.3 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej 14.3%. Të dhënat tregojnë se zgjerimi i huadhënies po mbështetet jo vetëm nga tregtia, që vijon të dominojë në vlerë, por edhe nga energjia, akomodimi, pasuritë e paluajtshme dhe sektorë të tjerë që po rrisin ndjeshëm kërkesën për financim.

Shqipëria 31 Gusht Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur muajin gusht negativisht duke mos arritur të rikuperojë humbjen që pësoi përgjatë kësaj periudhe teksa është blerë sot me 79.3......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat