Analiza Postuar më 11 September 2026, 11:12

Puna jashtë vendit sjell 426 mln euro/ Bashkë me remitancat, hyrjet kalojnë 1 miliard euro në gjashtë muaj

Nga Xhorxhina Deda

Puna jashtë vendit sjell 426 mln euro/ Bashkë me remitancat, hyrjet

Të ardhurat që ekonomia shqiptare përfiton nga puna e qytetarëve jashtë vendit kanë vijuar rritjen me ritme të forta edhe gjatë vitit 2026.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjysmës së parë të vitit, hyrjet nga kompensimi i punonjësve arritën në rreth 426.4 milionë euro, nga 332.2 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo do të thotë se në vetëm një vit janë shtuar me rreth 94 milionë euro, ose me 28.4%.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit, të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 234 milionë euro, nga 177.5 milionë euro një vit më parë. Rritja vjetore për këtë periudhë është rreth 31.8%.

Edhe tremujori i parë kishte shënuar një ecuri të fortë, me 192.4 milionë euro, ose 24.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në këtë kategori përfshihen pagat, shpërblimet dhe përfitimet e tjera të personave rezidentë në Shqipëri që punojnë përkohësisht jashtë vendit, si punëtorët sezonalë dhe ata kufitarë.

Por pesha e punës jashtë vendit bëhet edhe më e dukshme kur këto të ardhura llogariten së bashku me remitancat.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, emigrantët dërguan në Shqipëri rreth 621.4 milionë euro remitanca. Të marra së bashku me të ardhurat nga puna, hyrjet arrijnë në rreth 1.05 miliardë euro në vetëm gjashtë muaj.

Një vit më parë, të dyja këto burime sillnin së bashku rreth 864 milionë euro, çka do të thotë se brenda një viti fluksi është rritur me mbi 180 milionë euro, ose rreth 21%.

Shifrat tregojnë se puna dhe emigracioni vijojnë të jenë një burim i rëndësishëm valute për ekonominë shqiptare, duke mbështetur të ardhurat e familjeve, konsumin dhe bilancin e pagesave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat