Analiza Postuar më 3 Shtator 2026, 10:10

Pronat, “magnet” për financimin e bizneseve nga bankat/ Pasuritë e paluajtshme dhe kapitali qarkullues po udhëheqin valën e re të kredisë

Nga Scan TV

Pronat, “magnet” për financimin e bizneseve nga bankat/

Kredia për biznesin po merr më shumë hov, ndërsa bankat po financojnë gjithnjë e më shumë nevojat për prona dhe kapital qarkullues. Në shtatë muajt e parë të vitit, korporatat private morën 172.9 miliardë lekë kredi të reja, rreth 14.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në vlerë, pjesën më të madhe të financimit vijojnë ta mbajnë overdraft-et, të cilat përdoren kryesisht për nevoja afatshkurtra të biznesit. Në shtatë muaj, financimi për këtë qëllim arriti në rreth 72.2 miliardë lekë, por ishte vetëm rreth 1% më i lartë se një vit më parë.

Rritje shumë më e fortë është regjistruar te kreditë për pasuri të paluajtshme. Financimi i ri për këtë qëllim arriti në rreth 44.8 miliardë lekë, nga 32.9 miliardë lekë në Janar-Korrik 2025. Brenda një viti, kreditimi për prona është zgjeruar me rreth 36%, ndërsa pjesa më e madhe e tij është dhënë në euro.

Edhe financimi për kapital qarkullues, që bizneset e përdorin për aktivitetin e përditshëm, është rritur ndjeshëm. Kreditë e reja arritën në rreth 37.6 miliardë lekë, nga 29.7 miliardë lekë një vit më parë, ose rreth 27% më shumë.

Ndryshe nga ecuria e një muaji të vetëm, në bilancin shtatëmujor edhe kreditë për blerje pajisjesh rezultojnë në rritje. Ato arritën në rreth 18.4 miliardë lekë, afërsisht 5.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një tjetër element që bie në sy është mungesa e financimit të regjistruar posaçërisht për çeljen e bizneseve të reja.

Sipas monedhës, kredia e re për bizneset në lekë u rrit me 11.1%, ndërsa ajo në euro me 14.8%. Në total, të dhënat tregojnë se zgjerimi i huamarrjes gjatë shtatë muajve të parë të vitit është mbështetur veçanërisht nga financimi për pasuri të paluajtshme dhe nevojat për kapital qarkullues.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat