Analiza Postuar më 14 Korrik 2026, 11:28

Popullsia ekonomikisht joaktive u ul me 1.3%/ Kukësi dhe Gjirokastra nga ana tjetër shënuan rritjet më të forta

Nga Eldiona Serani

Popullsia ekonomikisht joaktive u ul me 1.3%/ Kukësi dhe Gjirokastra nga

Të dhënat e publikuara nga INSTAT mbi tregun e punës informojnë edhe mbi ecurinë e popullsisë ekonomikisht joaktive në vend. Në këtë kategori përfshihen personat që nuk janë pjesë e forcës së punës, pra nuk janë të punësuar dhe as nuk kërkojnë punë. Këta persona mund të jenë nxënës dhe studentë që vazhdojnë studimet, pensionistë, persona me aftësi të kufizuara, individë të angazhuar me detyrat shtëpiake, si edhe persona që nuk kërkojnë punë pasi besojnë se nuk do të mund të gjejnë një vend pune.

Në nivel kombëtar, popullsia ekonomikisht joaktive shënoi një ulje prej 1.3% gjatë vitit 2025 krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se, në tërësi, një numër më i madh qytetarësh janë integruar në tregun e punës ose kanë hyrë në forcën e punës duke kërkuar punësim.

Megjithatë, zhvillimi nuk ishte i njëjtë në të gjitha qarqet. Kukësi regjistroi rritjen më të lartë në përqindje të popullsisë ekonomikisht joaktive, me 40.2%, i ndjekur nga Gjirokastra me 26.4%. Rritje u shënuan edhe në Elbasan (+5.9%), Dibër (+3.0%) dhe Shkodër (+0.4%). Kjo nënkupton se në këto qarqe u shtua numri i personave që mbetën jashtë forcës së punës, qoftë për shkak të studimeve, pensionit, angazhimeve familjare apo arsyeve të tjera.

Në anën tjetër, Lezha regjistroi uljen më të madhe të popullsisë ekonomikisht joaktive, me 10.3%, e ndjekur nga Berati (-7.4%) dhe Tirana (-4.9%). Rënie u shënuan gjithashtu në Fier (-3.5%), Korçë (-2.7%), Vlorë (-1.0%) dhe Durrës (-0.1%). Kjo tregon se në këto qarqe më shumë persona u përfshinë në tregun e punës ose nisën të kërkonin aktivisht një vend pune.Pavarësisht rënies në nivel kombëtar, Tirana vijon të ketë numrin më të madh të personave ekonomikisht joaktivë, me rreth 237.5 mijë individë, e ndjekur nga Elbasani me afro 71.8 mijë. Këto shifra lidhen kryesisht me faktin se këto qarqe kanë edhe popullsinë më të madhe në vend.

Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se femrat përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë ekonomikisht joaktive. Gjatë vitit 2025, rreth 435 mijë gra rezultonin jashtë forcës së punës, kundrejt rreth 290 mijë burrave. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, numri i personave ekonomikisht joaktivë ka rënë për të dyja gjinitë, duke sinjalizuar një përmirësim të situatës në tregun e punës dhe një përfshirje më të madhe të qytetarëve në aktivitetin ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat