Analiza Postuar më 31 Mars 2026, 13:00

Përtej naftës, çfarë “rrezikon” Shqipëria nga Lindja e Mesme? Mbetemi të ekspozuar ndaj aluminit, plastikës dhe pajisjeve elektrike

Nga Scan TV

Përtej naftës, çfarë “rrezikon” Shqipëria

Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj Lindjes së Mesme vetëm për shkak të naftës. Përpunimi i të dhënave të INSTAT për vitin 2025 tregon se, krahas lëndëve djegëse, vendi importon nga ky rajon edhe mallra të tjera me peshë, sidomos alumin, pajisje elektrike dhe plastikë. Në kushtet e tensioneve në rajon, ndikimi i drejtpërdrejtë për Shqipërinë nuk lidhet vetëm me karburantet, por edhe me disa kategori të tjera mallrash që zënë peshë në strukturën e importeve.

Nga të dhënat e përpunuara, importet e Shqipërisë nga vendet e Lindjes së Mesme, arritën në rreth 27.64 miliardë lekë në vitin 2025. Pjesën dërrmuese e zënë lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre, me rreth 19.99 miliardë lekë, ose 72.3% të totalit. Pjesa tjetër e importeve arrin në rreth 7.65 miliardë lekë dhe është e përqendruar kryesisht në disa kategori të caktuara.

Zëri më i madh pas karburanteve është alumini dhe artikujt prej tij, me rreth 3.07 miliardë lekë. Pas tij vijnë makineritë dhe pajisjet elektrike, me rreth 1.64 miliardë lekë, si edhe plastika dhe artikujt prej saj, me rreth 1.49 miliardë lekë. Kjo tregon se, përtej naftës, ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij rajoni në importet shqiptare përqendrohet sidomos te këto mallra.

Importet janë të përqendruara edhe nga ana e vendeve furnizuese. Arabia Saudite mban peshën kryesore, me rreth 17.94 miliardë lekë, ose 64.9% të totalit të importeve nga rajoni. Më pas renditen Izraeli me rreth 2.67 miliardë lekë, Bahreini me 2.65 miliardë lekë, Kuvajti me 2.23 miliardë lekë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me rreth 1.05 miliardë lekë. Kjo tregon se importet shqiptare nga Lindja e Mesme janë të përqendruara në pak vende furnizuese.

Përbërja e importeve ndryshon sipas vendit. Arabia Saudite dhe Kuvajti dominojnë te lëndët djegëse, Bahreini ka peshën kryesore te alumini, ndërsa Izraeli spikat sidomos te makineritë dhe pajisjet elektrike. Plastika paraqitet më e shpërndarë, por me peshë më të lartë nga Arabia Saudite, Katari, Izraeli, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo do të thotë se, në terma të ndikimit të drejtpërdrejtë, Shqipëria nuk është e ekspozuar vetëm ndaj luhatjeve te nafta, por edhe ndaj mallrave të tjera që importohen nga Lindja e Mesme në vlera të ndjeshme. Pas energjisë, pesha më e madhe bie mbi aluminin, pajisjet elektrike dhe plastikën, tre kategori që zënë vendin kryesor në importet joenergjetike nga ky rajon.

Plehrat kimike, ndonëse përmenden shpesh në debat, nuk dalin si një zë i madh në importet direkte të Shqipërisë nga Lindja e Mesme. Në të dhënat e përpunuara, ato arrijnë në rreth 35.9 milionë lekë, kryesisht nga Jordania. Por edhe pse plehrat kimike apo grupet e tjera nuk zënë peshë të madhe në importet e drejtpërdrejta të Shqipërisë nga Lindja e Mesme, ndikimi i rajonit në këtë treg mbetet i rëndësishëm përmes çmimeve ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat