Analiza Postuar më 10 Dhjetor 2024, 14:06

Pagat në shtet u rritën 3 herë më shumë se në privat/ Në tremujorin e tretë, rrogat në këtë sektor arritën në gati 97 mijë lekë

Nga Armela Duka

Pagat në shtet u rritën 3 herë më shumë se në

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT, tregojnë se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024, arriti në 77,669 lekë ose 8.6% më e lartë se në tremujorin e tretë të vitit 2023.

Nëse analizojmë pagat sipas sektorit rezulton se paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror ishte 96,856 ndërsa paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 69,534.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pagat në shtet u rritën me 14.86% ndërsa në privat brenda vitit pagat e punonjësve u rritën me vetëm 5.39%. Pavarësisht se rritja e pagave në sektorin privat është nxitur edhe nga mungesa e fuqisë punëtore shohim se rritja e pagave në shtet ka një hendek të konsiderueshëm me gati tre herë më shumë rritje .

Gjatë tremujorit të tretë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë "Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit" dhe "Informacioni dhe Komunikacioni".

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin “Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale”, ka rritjen më të madhe prej 14.5%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” prej 3.8%.

Nga ana tjetër, nëse analizojmë shifrat e pagës mesatare mujore bruto sipas grup-profesioneve ekonomike, rezulton se grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.

Konkretisht, menaxherët kanë një pagë mesatare bruto prej 122,159 lekë në muaj. Më pas renditen specialistët me arsim të lartë të cilët marrin një pagë bruto prej 104,995 lekë në muaj. Po ashtu janë të mirëpaguar edhe punonjësit e forcave të armatosura të cilët marrin një pagë mujore bruto prej 98,163 lekë. Në të kundërt, punonjësit në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit mbeten më të keqpaguarit, me një pagë mujore bruto prej 47,660 lekë, që është rreth 2,400 lekë më shumë se paga minimale e miratuar prej 40,000 lekë neto.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat