Analiza Postuar më 29 Korrik 2026, 13:30

Pabarazia në paga bie në 4.6%/ Hendeku ngushtohet, por disa profesione mbeten me diferenca mbi 20%

Nga Eldiona Serani

Pabarazia në paga bie në 4.6%/ Hendeku ngushtohet, por disa profesione

Hendeku gjinor në paga në Shqipëri ka shënuar një përmirësim gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave, diferenca mes pagës mesatare të grave dhe burrave u ul në 4.6%, nga 4.9% që ishte një vit më parë. Kjo tregon se pabarazia në të ardhurat nga puna është ngushtuar lehtë, megjithëse vijon të jetë e pranishme në disa kategori profesionesh.

Të dhënat sipas grupeve profesionale tregojnë se gratë vijojnë të paguhen më pak se burrat në një pjesë të madhe të tregut të punës. Hendeku më i madh regjistrohet te punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve, ku diferenca në paga arriti në 23.6% në vitin 2025, nga 23.2% një vit më parë.

Një rritje e hendekut është vërejtur edhe te zejtarët dhe profesionet e lidhura me to, ku diferenca u zgjerua nga 19.5% në 22.5%, si dhe te punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve, ku hendeku u rrit nga 19.3% në 22.8%.
Edhe në grupin e specialistëve në arsimin e lartë, diferenca mbetet e konsiderueshme, megjithëse është ulur lehtë nga 16.0% në 14.3%. Ndërkohë, te teknikët dhe specialistët në zbatim hendeku ka mbetur pothuajse i pandryshuar, duke kaluar nga 9.9% në 9.8%.

Nga ana tjetër, disa profesione vijojnë të dominohen nga gratë për sa i përket nivelit të pagave. Në kategorinë e menaxherëve, ligjvënësve dhe drejtuesve ekzekutivë, hendeku rezulton negativ, duke kaluar nga -8.7% në -11%, çka tregon se gratë në këtë grup kanë pagë mesatare më të lartë se burrat. Një situatë e ngjashme vërehet edhe te Forcat e Armatosura, ku diferenca kaloi nga -0.2% në 0.7%.

Megjithëse treguesi i përgjithshëm sinjalizon një ulje të pabarazisë gjinore në paga, të dhënat sipas profesioneve tregojnë se sfidat mbeten të mëdha në sektorë të caktuar të ekonomisë. Kjo nënvizon nevojën për politika që synojnë barazinë në pagesë dhe mundësi të barabarta në tregun e punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat