Analiza Postuar më 26 Dhjetor 2025, 10:53

Nga vjen rritja ekonomike? Rreth 940 milionë euro më shumë, por jo nga xhepi i familjeve

Nga Xhorxhina Deda

Nga vjen rritja ekonomike? Rreth 940 milionë euro më shumë, por

Ekonomia e vendit shënoi rritje prej 3.75% në terma realë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, lind pyetja se sa është rritja në lekë? “Scan Intel” ka bërë një përllogaritje të thjeshtë duke u nisur nga shifra e mësipërme. Nëse rritja prej 3.75% projektohet mbi nivelin vjetor të PBB-së për vitin 2024, i cili u vlerësua në rreth 2.52 trilionë lekë ose rreth 25 miliardë euro me çmime korrente, kjo përkthehet në rreth 94 miliardë lekë, ose afërsisht 940 milionë euro më shumë aktivitet ekonomik në bazë vjetore.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se kjo rritje nuk është mbështetur kryesisht te konsumi i popullatës.

Sipas metodës së shpenzimeve, konsumi final i popullatës u rrit vetëm me 1.25%, duke treguar një rritje të dobët të kërkesës së brendshme. Në të kundërt, konsumi final i qeverisë shënoi rritje të ndjeshme prej 7.72%, duke u kthyer në një nga faktorët kryesorë që kanë nxitur rritjen ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, investimet, të matur me komponentin e formimit bruto të kapitalit fiks, u rritën me 4.78%, duke reflektuar zgjerim të aktivitetit investues në ekonomi.

Një kontribut të rëndësishëm në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhanë edhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të cilat u rritën me 12.55%. Megjithatë, importet u rritën gjithashtu me 5.47%, çka tregon se rritja ekonomike vazhdon të shoqërohet me varësi nga tregjet e jashtme.

Të dhënat sugjerojnë se, pavarësisht rritjes ekonomike, përfitimi për familjet mbetet i kufizuar, ndërsa pesha kryesore e rritjes vijon të mbështetet te shpenzimet publike dhe sektori i jashtëm.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat