Analiza Postuar më 29 Tetor 2025, 12:58

“Nën presion për të mbrojtur shpikjet dhe markat”- Raporti/ Shqipëria, nën mesataren për pronësinë intelektuale edhe pse me përmirësim

Nga Xhorxhina Deda

“Nën presion për të mbrojtur shpikjet dhe markat”-

Në botën e sotme, ku ekonomia nuk matet më vetëm me fabrika dhe hektarë toke, por me ide, krijime dhe teknologji, prona intelektuale është bërë një nga shtyllat e zhvillimit. Është pasuria e padukshme që krijon vlerë reale, shpikjet, dizajnet, programet kompjuterike, librat, muzika, markat tregtare dhe çdo formë tjetër e krijimtarisë njerëzore që lind nga mendja. Prona intelektuale është, në thelb, mënyra me të cilën një shoqëri mbron dhe nxit inteligjencën e vet.

Në raportin ndërkombëtar për të drejtat e pronësisë, International Property Rights Index 2025, Shqipëria renditet në vendin e 71-të nga 126 shtete, me një vlerësim total prej 4.7 pikësh nga 10. Brenda këtij treguesi, përbërësi i të drejtave të pronësisë intelektuale merr 5.1 pikë, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Europës Perëndimore është 7.3. Diferenca është e thellë dhe domethënëse. Ajo tregon jo vetëm mungesën e besimit në sistemin juridik, por edhe boshllëqet që pengojnë zhvillimin e një ekonomie të bazuar në dije dhe inovacion.

Në thelb, e drejta e pronësisë intelektuale mbrohet përmes tre mekanizmave, e drejta e autorit (për krijimet artistike e letrare), patenta (për shpikjet teknike) dhe marka tregtare (për identitetin e produkteve dhe shërbimeve). Këto mënyra kanë të njëjtin qëllim, të mbrojnë punën origjinale nga kopjimi, keqpërdorimi apo vjedhja. Sipas raportit International Property Rights Index 2025, Shqipëria për komponentin Mjedisi Ligjor dhe Politik vlerësohet me 4.4 pikë, për Të Drejtat e Pronës Fizike vlerësohet me 4.7 pikë, dhe për Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale vlerësohet me 5.1 pikë. Këto tregues e vendosin Shqipërinë nën mesataren globale prej 5.13 pikësh, duke reflektuar mbrojtje të kufizuar të pronës dhe institucione ligjore me efikasitet të ulët.

Vlerësimi i përgjithshëm mbetet pothuajse i pandryshuar krahasuar me vitin 2024, çka tregon mungesë progresi në forcimin e të drejtave pronësore. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve me mbrojtje të dobët deri mesatare të pronës, sipas klasifikimit të raportit. Në rajonin tonë, performanca e Shqipërisë është më e ulët se ajo e disa vendeve fqinje. Greqia ka një rezultat prej 5.9 pikësh, Italia 7.0, Kroacia 6.3, Mali i Zi 5.0, Maqedonia e Veriut 5.0, ndërsa Serbia 4.9. Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria renditet vetëm mbi mesataren e vendeve të rajonit më të dobëta, por dukshëm më poshtë se vendet e BE-së fqinje.

Në raportin e vitit 2025, vendet që mbrojnë më fort pronën intelektuale janë Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Gjermania dhe Japonia.

Klikoni këtu për raportin e plotë

“Nën presion për të mbrojtur shpikjet dhe markat”-

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat