Analiza Postuar më 17 Korrik 2025, 16:40

Çmimet në vend, më të ulta se në rajon/ Inflacioni arrin në 2.5%, me ndikim më të madh nga ushqimet dhe argëtimi

Nga Xhorxhina Deda

Çmimet në vend, më të ulta se në rajon/ Inflacioni

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Qershor të vitit 2025 regjistrohet në 2.5%, duke konstatuar kështu një normë më të lartë, krahasuar me Marsin e po të njëjtit vit. Nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë ishte 2.4%. Theksojmë se metodologjia e matjes është e njëjtë me të dy metodat, por diferencat mes këtyre dy matjeve vijnë si rezultat i peshës që i jepet secilit grup të produkteve në llogaritjen e inflacionit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë përllogaritet në 2.3% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar mbi këtë kufi për muajin Qershor, që do të thotë se aktualisht çmimet në vendin tonë janë më të larta se mesatarja europiane. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë Qershorit të këtij viti janë Rumania me 5.8%, Estonia me 5.2% si dhe Maqedonia e Veriut e Serbia me 5.1% dhe 4.7% respektivisht.

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përfshirë edhe Malin e Zi dhe Kosovën, ku për muajin Qershor regjistrojnë një normë të rritjes së çmimeve prej 4.6% dhe 4.3%.

Ndërkohë, nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve prej 9.3% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.4%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3.2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.1%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.2%, “Shërbimi arsimor” me 1.9%, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.5% secili, “Shëndeti” me 1.1%, “Veshje dhe këpucë” me 0.9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.7%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0.6%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat