Analiza Postuar më 27 Prill 2026, 11:38

Më shumë dalje jashtë vendit, portet fitojnë terren/ Pasiguria në Lindjen e Mesme orienton udhëtimet drejt Europës

Nga Xhorxhina Deda

Më shumë dalje jashtë vendit, portet fitojnë terren/

Daljet e shtetasve shqiptarë nga vendi vijuan të rriten në tre muajt e parë të vitit, duke treguar një lëvizshmëri më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën Janar-Mars 2026 nga Shqipëria dolën 1.99 milionë shtetas shqiptarë, me rritje 5.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Vetëm në muajin mars, daljet e shqiptarëve arritën në rreth 677 mijë, me rritje 9% në raport me marsin e një viti më parë.

Të dhënat sipas mënyrës së udhëtimit tregojnë se lëvizjet vijojnë të mbeten të përqendruara kryesisht në rrugë tokësore. Në tre muajt e parë të vitit, daljet gjithsej me tokë arritën në rreth 2.5 milionë, nga 2.45 milionë një vit më parë, duke shënuar një rritje të moderuar.  Nga ana tjetër, rritjen më të fortë e shënuan daljet me det me një zgjerim prej 14%. Këto sinjale sugjerojnë një gjallërim më të fortë të lëvizjeve përmes porteve, veçanërisht drejt Italisë dhe destinacioneve të lidhura me transportin detar.

Njejtë si me hyrjet e shtetasve të huaj, rritja e pasigurisë në zonat e konfliktit mund të ketë ndikuar në mënyrën se si shqiptarët zgjedhin destinacionet jashtë vendit, duke favorizuar më shumë udhëtimet drejt vendeve europiane dhe rajonale, në vend të destinacioneve më të largëta ose më të ekspozuara ndaj tensioneve.

Të dhënat nuk tregojnë drejtpërdrejt destinacionin final të udhëtimit, por fakti që rritja më e madhe vjen nga lëvizjet me det dhe tokë sugjeron se daljet janë përqendruar kryesisht drejt korridoreve tradicionale europiane.

Në tërësi, tre muajt e parë të vitit tregojnë se shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë vendit, por jo përmes një ndryshimi të madh të strukturës së lëvizjes. Rritja mbetet e lidhur kryesisht me rrugët tokësore dhe destinacionet e afërta, ndërsa tensionet gjeopolitike duket se kanë ndryshuar destinacionet tradicionale të shqiptarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat