Analiza Postuar më 15 Tetor 2025, 16:53

Më pak shqiptarë nën kufirin e mbijetesës në vitin 2024/ Pensionet dhe përfitimet sociale, mburoja kryesore kundër varfërisë

Nga Scan TV

Më pak shqiptarë nën kufirin e mbijetesës në vitin

Instituti i Statistikave ka publikuar rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës për vitin 2024, që matin standardin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material e social në familjet shqiptare. Të dhënat tregojnë një përmirësim të lehtë në disa nga treguesit kryesorë të mirëqenies, duke vijuar trendin pozitiv të viteve të fundit, megjithëse sfidat sociale mbeten të dukshme.

Varfëria relative bie në 19.2%

Sipas INSTAT, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në vitin 2024 është 19.2%, duke shënuar një rënie prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023. Kjo do të thotë se afërsisht 1 në 5 persona në Shqipëri vijon të jetojë me të ardhura nën kufirin e varfërisë relative.

Ky kufi, që përfaqëson nivelin minimal të të ardhurave për një individ në vit, është 324.336 lekë në 2024, kundrejt 262,325 lekëve në 2023, çka tregon një rritje të të ardhurave mesatare dhe përmirësim të lehtë të kushteve ekonomike. Numri i individëve nën këtë kufi ka rënë me rreth 4.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Privimi material dhe social në rënie

Një tregues tjetër që përllogaritet sipas objektivave të “Europa 2030” është privimi material dhe social, që mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 nevojat bazike të jetesës, si ushqimi, ngrohja, pushimet, apo blerja e rrobave të reja. Për vitin 2024, ky tregues ka rënë në 32.8%, nga 35.9% në vitin 2023, një përmirësim i dukshëm që tregon se gjithnjë e më shumë familje po arrijnë të përballojnë shpenzimet bazike të jetesës.

Ndërkohë, për grupmoshën 18-64 vjeç që jeton në familje me intensitet shumë të ulët punësimi, përqindja ka rënë nga 9.7% në 8.4%, çka tregon një aktivizim më të madh në tregun e punës dhe ulje të familjeve që varen nga një e ardhur e vetme apo asnjë.

Sipas INSTAT, transfertat sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, mbeten vendimtare në uljen e rrezikut për varfëri. Nëse të gjitha përfitimet sociale përjashtohen nga të ardhurat familjare, rreziku për varfëri do të ishte 36.7%.
Nëse përfshihen vetëm pensionet, ky tregues bie në 22.7%, duke dëshmuar se sistemi i pensioneve është një mburojë kyçe për shumë familje shqiptare, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Të dhënat tregojnë se rënia e varfërisë është më e dukshme tek fëmijët dhe të rinjtë nën 17 vjeç, ku rreziku është zvogëluar me 0.9 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023. Në të kundërt, grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar një rritje të lehtë prej 0.2 pikë përqindjeje, duke reflektuar ndikimin e inflacionit dhe të kostove të jetesës për të moshuarit me të ardhura fikse.

Gjithashtu, individët që jetojnë në familje pa fëmijë në varësi kanë rrezik më të ulët për varfëri, krahasuar me familjet me fëmijë, të cilat përballen me kosto më të larta dhe më shumë varësi ekonomike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat