Analiza Postuar më 2 Janar 2025, 12:29

Mbi 742 mijë depozitime në ATM për 9-mujorin/ Turizmi ndikoi rritjen e numrit dhe vlerës së transaksioneve

Nga Armela Duka

Mbi 742 mijë depozitime në ATM për 9-mujorin/ Turizmi ndikoi

Në dy vitet e fundit, pagesat dhe depozitimet përmes ATM-ve kanë përjetuar një rritje të ndjeshme, e nxitur kryesisht nga performanca e pozitive  e turizmit, i cili ka qenë një sektor "triumfues" gjatë vitit 2024. Fluksi i shtuar i turistëve të huaj ka krijuar nevojën për instalimin e pajisjeve të reja ATM, duke mundësuar tërheqjen dhe depozitimin e parasë cash me lehtësi.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, tremujori i tretë i vitit 2024 ka dëshmuar një tjetër rritje të përdorimit të shërbimeve bankare përmes ATM-ve. Konkretisht, numri i depozitimeve automatike ka arritur në rreth 264 mijë, një rritje prej 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nëntëmujori i parë i këtij viti ka rezultuar gjithashtu tejet pozitiv, me depozitimet totale që kanë tejkaluar shifrën e 742 mijë, duke reflektuar një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë. Për më tepër, vlera e transaksioneve gjatë kësaj periudhe ka arritur në 36.5 miliardë lekë, një rritje prej 33% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kjo prirje pozitive është mbështetur nga investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe zgjerimi i rrjetit të ATM-ve që ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash. Rritja e numrit të këtyre pajisjeve ka sjellë përmirësime të ndjeshme për klientët, duke reduktuar rradhët e gjata në sportelet bankare.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të nëntëmujorit, numri i ATM-ve ka arritur në 379, duke shënuar një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar. Aktualisht, rreth 37% e këtyre pajisjeve ofrojnë mundësinë e depozitimit të parasë cash, një element thelbësor për lehtësimin e qarkullimit të parasë në ekonomi dhe përmirësimin e aksesit në shërbimet bankare.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat