Analiza Postuar më 10 Mars 2026, 13:08

Mbi 6 mijë të rinj "braktisën" punën! Emigracioni rrit punësimin në letër, por bie numri absolut

Nga Xhorxhina Deda

Mbi 6 mijë të rinj "braktisën" punën! Emigracioni

Numri i të rinjve të punësuar në Shqipëri ka shënuar rënie në fund të vitit 2025 krahasuar me një vit më parë, edhe pse treguesit relativë të punësimit paraqiten në rritje.

Sipas të dhënave të Anketës Tremujore të Forcave të Punës, në tremujorin e katërt të vitit 2024 numri i të rinjve të punësuar të moshës 15-29 vjeç ishte 183,948 persona. Ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2025 ky numër ra në 177,662 të punësuar.

Kjo do të thotë se 6,286 të rinj më pak rezultojnë të punësuar brenda një viti, duke reflektuar një tkurrje të numrit absolut të të rinjve në tregun e punës.

Megjithatë, të dhënat tregojnë një situatë paradoksale: shkalla e punësimit për të rinjtë është rritur, nga 46.1% në tremujorin e katërt të vitit 2024 në 50.3% në tremujorin e katërt të vitit 2025.

Rritja e këtij treguesi shpjegohet me faktin se popullsia e të rinjve në vend është zvogëluar, kryesisht si pasojë e emigrimit dhe ndryshimeve demografike. Si rrjedhojë, edhe pse përqindja e të rinjve që punojnë është më e lartë, numri real i të rinjve në punë ka rënë.

Një prirje e ngjashme vërehet edhe te pjesëmarrja në forcat e punës. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, pjesëmarrja e të rinjve ishte 58.6%, pak më e lartë se 56.1% një vit më parë.

Ndërkohë, shkalla e papunësisë së të rinjve mbetet e lartë, edhe pse ka pësuar rënie krahasuar me vitin e kaluar. Në tremujorin e katërt të vitit 2025 ajo ishte 14.2%, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 arrinte në 19.1%.

Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve vijon të qëndrojë jashtë tregut të punës. Në tremujorin e katërt të vitit 2025 rezultojnë rreth 196,685 të rinj të moshës 15-29 vjeç që nuk punojnë dhe nuk kërkojnë punë, pothuajse në të njëjtin nivel me tremujorin e katërt të vitit 2024, kur numri i tyre ishte 196,600 persona. Kjo tregon se, pavarësisht përmirësimit të disa treguesve të tregut të punës, niveli i inaktivitetit te të rinjtë mbetet i lartë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat