Analiza Postuar më 22 Maj 2026, 12:36

Matematika, një problem pa zgjidhje! Më shumë studentë në teknologji, por diplomimi më i lartë në Shëndetësi

Nga Xhorxhina Deda

Matematika, një problem pa zgjidhje! Më shumë studentë

Degët e teknologjisë, shëndetësisë dhe arsimit po shfaqin ritmet më të larta të diplomimit në universitetet shqiptare, ndërsa shkencat natyrore dhe inxhinieria vijojnë të mbeten pas. Kjo del nga një analizë e të dhënave të INSTAT mbi studentët e regjistruar dhe të diplomuar sipas fushave të studimit.

“Scan Intel”, për të krijuar një tregues krahasues, të diplomuarit e vitit akademik 2024-2025 i ka krahasuar me studentët e regjistruar në vitin 2021-2022, periudhë që përkon afërsisht me kohëzgjatjen mesatare të cikleve të larta.

Megjithatë, duhet theksuar se të dhënat nuk tregojnë normë të saktë diplomimi. Statistikat e regjistrimeve përfshijnë të gjithë studentët aktivë në sistem, jo vetëm ata që hyjnë për herë të parë në universitet, që do të thotë se në total përfshihen studentë të viteve të ndryshme, përsëritës, programe master dhe studime të zgjatura. Për këtë arsye, raportet duhet të lexohen si tregues orientues të ritmit të diplomimit.

Sipas përllogaritjeve, “Shkencat e arsimit” kanë raportin më të lartë, rreth 29.5%, të ndjekura nga “Shëndeti dhe mirëqenia” me 29.3% dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” me 29.2%.

Këto janë edhe degët që vitet e fundit kanë tërhequr më shumë studentë, të nxitura nga kërkesa e lartë në tregun e punës dhe mundësitë për punësim jashtë vendit.

Në krahun tjetër, “Shkencat natyrore, matematika dhe statistika” paraqesin rezultatin më të ulët. Nga 4,553 studentë të regjistruar në vitin 2021-2022, vetëm 522 rezultojnë të diplomuar në 2024-2025, ose rreth 11.5%. Pra, duket se matematika nuk prodhon më diplomë.

Edhe “Inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi” shfaqin ritme më të ulëta, me rreth 18%.

Ndërkohë, fusha më e madhe në universitete mbetet “Biznes, administrim dhe ligj”, me mbi 32 mijë studentë të regjistruar, por me një raport orientues diplomimi prej rreth 21%. Në total, universitetet shqiptare kishin mbi 123 mijë studentë të regjistruar në vitin 2021-2022, ndërsa numri i të diplomuarve në 2024-2025 rezulton rreth 28,900.

Edhe pse statistikat nuk lejojnë të matet saktësisht sa studentë të një brezi arrijnë të diplomohen, të dhënat tregojnë qartë se degët e lidhura me tregun e punës, veçanërisht teknologjia dhe shëndetësia po prodhojnë më shumë të diplomuar, ndërsa programet shkencore dhe teknike vijojnë të kenë ritme më të ulëta përfundimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat