Analiza Postuar më 19 Qershor 2025, 12:39

“Made in Albania” “pushtojnë” tregun e Kosovës/ Lidhja ekonomike mes dy vendeve u thellua ndjeshëm në pesë muajt e parë

Nga Xhorxhina Deda

“Made in Albania” “pushtojnë” tregun e

Tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka njohur një zgjerim të ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke shënuar shifra në rritje në periudhën Janar-Maj. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, volumi total i shkëmbimeve tregtare ka kapur vlerën e rreth 33 miliardë lekëve, një tregues i qartë i rritjes së ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve.

Ajo që bie më shumë në sy është ritmi i rritjes së eksporteve shqiptare drejt Kosovës. Nga 16.5 miliardë lekë në pesëmujorin e parë të vitit të kaluar, eksportet janë ngjitur në 28.7 miliardë lekë, që përkthehet në një rritje mbresëlënëse prej 74.1%. Nga prodhimi vendas deri te logjistika, Shqipëria duket se po e shfrytëzon gjithnjë e më mirë tregun kosovar.

Produkti më i eksportuar drejt Kosovës janë pa diskutim lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit. Konkretisht, në vend të parë renditen lëndët djegëse me 18.9 miliardë lekë, pasuar nga kripërat, oksidet, gëlqerja dhe çimentoja, të cilat zënë mbi 2.4 miliardë lekë nga totalit. Pas tyre vijnë produktet ushqimore si zarzavatet dhe rrënjët e ngrënshme.

Nga ana tjetër, importet shqiptare nga Kosova kanë pësuar një rënie të lehtë, duke zbritur nga 4.83 miliardë lekë në 5 muajt e parë të 2024-s, në 4.71 miliardë lekë këtë vit, që përbën një tkurrje me rreth 2.3%. Megjithatë, produktet që Shqipëria blen nga Kosova mbeten të rëndësishme dhe me vlerë të shtuar.

Në krye të listës së importeve janë pijet dhe alkoolet, të cilat sjellin në Shqipëri vlera mbi 885 milionë lekë. Pas tyre renditen lëndët djegëse dhe vajrat minerale, produktet metalike si çeliku dhe alumini, si dhe mobilieria dhe ndriçimi, duke dëshmuar se Kosova po zhvillon një industri të brendshme që eksporton edhe produkte të përpunuara.

Në këtë sfond, është e qartë se rritja e eksporteve shqiptare ka qenë faktori dominues në rritjen e përgjithshme të shkëmbimeve tregtare. Shqipëria ka rritur ndjeshëm jo vetëm sasinë, por edhe larmishmërinë e produkteve që shet.

Në një kohë kur flitet për një treg të përbashkët shqiptar, shifrat e vitit 2025 nuk janë më thjesht vizion politik, por një realitet ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat