Analiza Postuar më 18 Maj 2026, 11:23

Lufta “shpëton” eksportet shqiptare/ Shënuan rritje me 16.9% në Prill, përmirësohet deficiti tregtar

Nga Xhorxhina Deda

Lufta “shpëton” eksportet shqiptare/ Shënuan rritje me

Eksportet e mallrave shënuan rritje të fortë edhe në muajin prill, duke ngushtuar njëkohësisht deficitin tregtar, ndërsa ndikimi i çmimeve të energjisë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme vijon të reflektohet te tregtia e jashtme shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në prill 2026 eksportet arritën vlerën 34.9 miliardë lekë, duke u rritur me 16.9% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë dhe me 6.8% në raport me marsin. Importet arritën në 79 miliardë lekë, me një rritje më të moderuar prej 4.4% në terma vjetorë, ndërsa ranë me 1.6% krahasuar me muajin pararendës. Si rezultat, deficiti tregtar zbriti në 44.1 miliardë lekë, me një tkurrje prej 3.8% në raport me prillin e vitit të kaluar.

Rritja e eksporteve është mbështetur kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, që dha kontributin më të madh pozitiv me 9.8 pikë përqindje, i ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe metalet me 6.6 pikë përqindje. Në rritje kontribuan edhe ushqimet, pijet dhe duhani, si edhe makineritë dhe pajisjet.

Ndikimi i çmimeve ndërkombëtare duket veçanërisht i fortë te grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Të dhënat tregojnë se, megjithëse pesha e importeve të këtij grupi ra në rreth 193 milionë kg nga 206 milionë kg një vit më parë, vlera u rrit në 9.6 miliardë lekë nga 7.7 miliardë lekë. E njëjta tendencë u shfaq edhe te eksportet, ku sasia ra nga 227 milionë kg në 216 milionë kg, ndërsa vlera u rrit ndjeshëm në 8.4 miliardë lekë. Kjo sugjeron se rritja e tregtisë në këtë kategori është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të energjisë dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbajnë të paqëndrueshme tregjet globale të energjisë.

Ndërkohë, sektorët tradicionalë vijojnë të japin sinjale më të dobëta. Tekstilet dhe këpucët kontribuan negativisht me 1.8 pikë përqindje, ndërsa produktet kimike dhe plastike, si edhe lëkura dhe artikujt prej saj, dhanë ndikim negativ më të kufizuar.

Edhe në importe, ndikimin kryesor e dhanë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me 2.5 pikë përqindje, të ndjekura nga ushqimet, pijet dhe duhani me 2.1 pikë përqindje. Nga ana tjetër, makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit dhanë ndikim negativ, duke frenuar pjesërisht zgjerimin e importeve.

Ndryshe nga marsi, kur importet u zgjeruan me ritme shumë më të larta, në prill vihet re një ngadalësim i blerjeve nga jashtë, çka ka ndihmuar në uljen e deficitit tregtar. Megjithatë, varësia e lartë nga importet e energjisë dhe lëndëve djegëse vijon të mbajë ekonominë shqiptare të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe kostove të transportit.

Në aspektin e tregjeve partnere, eksportet shqiptare shënuan rritjen më të madhe drejt Kosovës me 26% dhe Gjermanisë me 28.9%, ndërsa ranë drejt Italisë me 3.8% dhe Spanjës me 20.6%. Nga ana tjetër, importet u rritën kryesisht nga Kina me 18.9% dhe Italia me 3.1%, ndërsa ranë nga Gjermania dhe Turqia.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat