Analiza Postuar më 11 Shkurt 2026, 16:44

Lindjet prekin numrin më të ulët në mbi 3 dekada/ Në 2025 erdhën në jetë rreth 21.4 mijë foshnja, 8% më pak se në 2024

Nga Xhorxhina Deda

Lindjet prekin numrin më të ulët në mbi 3 dekada/ Në

Popullsia e Shqipërisë po përballet me tkurrje vit pas viti, kryesisht për shkak të uljes së numrit të lindjeve dhe emigracionit të lartë. Të dhënat demografike të publikuara nga "Instituti i Statistikave" tregojnë se në vitin 2025 është regjistruar numri më i ulët i lindjeve në më shumë se 3 dekada, duke thyer kështu rekordin negativ të viteve të fundit. Rënia e numrit të foshnjave krahasuar me vitin 1990 vlerësohet në 74%. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri janë regjistruar rreth 21,425 lindje duke shënuar një rënie prej 8.1% krahasuar me vitin 2024.

Në një analizë të detajuar për vitin që lamë pas shifrat tregojnë se tremujori i tretë shënoi numrin më të lartë të lindjeve për t’u ulur më pas në tremujorin e katërt. Kjo tendencë e rënies së lindshmërisë tregon se Shqipëria jo vetëm po tkurret, por edhe po plaket shumë shpejt. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat e largimit të të rinjve nga Shqipëria. Nga ana tjetër, në vitin 2025 regjistrohen 20,245 humbje jete, çka tregon një përmirësim krahasuar me vitin 2024, ku numri i fataliteteve ishte rreth 22 mijë.

Një tjetër tregues i rëndësishëm demografik është edhe shtesa natyrore e popullsisë, e cila përfaqëson diferencën midis lindjeve dhe vdekjeve. Ky tregues është një faktor kyç për dinamikën demografike, pasi reflekton nëse popullsia po rritet apo po tkurret në mënyrë natyrore, pa marrë parasysh emigracionin. Nëse numri i lindjeve tejkalon atë të vdekjeve, shtesa natyrore është pozitive. Në të kundërt, një shtesë natyrore negative tregon një tkurrje demografike.

Pozitiv është fakti që shtesa natyrore rezulton pozitive vitet e fundit që pas ndikimit të pandemisë, por shifra po ulet vit pas viti. Përgjatë vitit 2025 shtesa natyrore përllogaritet në 1,180 lindje më shumë, por në vitin 2024 ky tregues ishte 1,208.

Krahasuar me 36 vite më parë, shtesa natyrore e popullsisë ka rënë ndjeshëm me pothuaj 60 mijë lindje më shumë se vdekje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat