Analiza Postuar më 2 Prill 2026, 11:15

Kush po qëndron jashtë tregut të punës? Inaktiviteti në punësim shënoi ulje të lehtë gjatë 2025-ës

Nga Eldiona Serani

Kush po qëndron jashtë tregut të punës? Inaktiviteti në

Inaktiviteti në punësim i referohet pjesës së popullsisë në moshë pune që nuk është e angazhuar në një vend pune dhe as nuk kërkon aktivisht një të tillë. Ky fenomen mund të lidhet me arsye të ndryshme, si persona që nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda një periudhe të caktuar, studentë që vijojnë studimet, individë që nuk mund të punojnë për shkak të problemeve shëndetësore, si edhe njerëz që për arsye personale, familjare apo sociale nuk marrin pjesë në tregun e punës.

Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT për vitin 2025, ajo që bie në sy është se inaktiviteti në punësim paraqitet në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tremujori i parë i vitit 2025 ka shënuar uljen më të madhe, duke zbritur në 23.3%, ndërsa në mbyllje të vitit inaktiviteti arriti në 24.1%, duke shënuar një rritje minimale.

Nëse e shohim inaktivitetin sipas grupmoshave, rezulton se grupmosha më inaktive në punësim është ajo nga 15 deri në 24 vjeç. Për këtë grupmoshë, inaktiviteti ka ardhur në rritje gjatë vitit 2025. Duke qenë se pjesëtarët e kësaj moshe janë zakonisht të angazhuar në ndjekjen e studimeve, është e pritshme që niveli i inaktivitetit të jetë më i lartë. Ndërkohë, grupmosha 25 deri në 54 vjeç paraqet nivelin më të ulët të inaktivitetit në punësim, e ndjekur nga grupmosha 55 deri në 64 vjeç, e cila gjithashtu shfaq një nivel relativisht të ulët.

Nga të dhënat e INSTAT rezulton gjithashtu se, për sa i përket ndarjes gjinore, gratë paraqiten me një nivel më të lartë inaktiviteti në punësim krahasuar me burrat. Në fillim të vitit, inaktiviteti në punësim ishte 29.1% për gratë dhe 17.2% për burrat. Ndërkohë, në mbyllje të vitit kjo shifër arriti në 17.4% për burrat dhe 30.6% për gratë, duke treguar qartë diferencën mes tyre.

Një tjetër statistikë që bie në sy është lidhja mes nivelit të arsimit dhe inaktivitetit në punësim. Personat me nivel më të ulët arsimor paraqesin shkallë më të lartë inaktiviteti. Konkretisht, ata që kanë përfunduar vetëm arsimin 8–9-vjeçar shfaqin nivele më të larta krahasuar me personat që kanë përfunduar arsimin e mesëm apo atë të lartë. Ndërkohë, individët me arsim të lartë paraqesin shkallën më të ulët të inaktivitetit në tregun e punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video