Analiza Postuar më 26 Gusht 2025, 10:39

Kush po e zë vendin e europianëve? “Boom” emigrantësh në Shqipëri, të huajt nëntëfishohen në 20 vite

Nga Scan TV

Kush po e zë vendin e europianëve? “Boom” emigrantësh

Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka njohur një rritje të fortë përgjatë dy dekadave të fundit. Nga vetëm 2,378 të huaj në vitin 2005, ky numër është rritur në mbi 21,9 mijë në vitin 2024, duke reflektuar një transformim të dukshëm të Shqipërisë si vend pritës për shtetas të huaj. Nga një profil fillimisht i dominuar pothuajse totalisht nga Europa, tabloja e sotme është më e larmishme, me një rikthim të fortë të Azisë dhe një rritje graduale të Afrikës. Kjo pasqyron jo vetëm ndryshimet ekonomike dhe demografike, por edhe rolin e Shqipërisë si një pikë ndërthurjeje për flukse migratore më të gjera rajonale dhe globale.

Europa ka qenë burimi kryesor i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri. Në vitet 2005 dhe 2006, pesha e europianëve vlerësohej në 74% të totalit, duke e dominuar qartësisht përbërjen e të huajve. Megjithatë, kjo peshë ka ardhur duke u ulur në vitet e fundit, duke zbritur në 65.5% në vitin 2024. Kjo tregon se megjithëse Europa mbetet burimi kryesor, Shqipëria po diversifikon profilin e saj të të huajve rezidentë.

Azia ka përjetuar luhatje të mëdha. Në vitin 2005, aziatikët përfaqësonin gati 29% të totalit, por kjo peshë ra ndjeshëm gjatë dekadës së parë, duke arritur deri në vetëm 10% në vitin 2012. Megjithatë, pas vitit 2015 vihet re një rikthim i fortë. Në vitin 2016-të dhe 2018-të, Azia zinte rreth 28% të totalit, duke reflektuar prurje të lidhura kryesisht me migracionin ekonomik nga vendet aziatike. Edhe pse në vitin 2022 përqindja ra në 14.6%, në vitin 2024 u ngjit sërish në mbi 20%, duke e shndërruar Azinë në kontinentin e dytë më të rëndësishëm për origjinën e të huajve në Shqipëri.

Afrika ka ruajtur një peshë relativisht të vogël, por të qëndrueshme. Nga rreth 3-4% në fillim të periudhës, kjo kategori ka njohur një ngjitje graduale, duke arritur 6.9% në vitin 2024. Kjo rritje lidhet me prurjet nga Afrika Veriore dhe Afrikës Subsahariane, shpesh të lidhura me emigracionin ekonomik dhe kërkesat për azil.

Amerika ka njohur një prani më të fortë në fillim të periudhës së analizuar. Në vitin 2005, amerikanët përbënin 17% të totalit, por me kalimin e viteve pesha e tyre ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në vetëm 6% deri në 7% gjatë 2023-2024. Kjo rënie tregon se lidhjet e hershme me diasporën dhe komunitetin amerikan në Shqipëri janë relativisht të qëndrueshme në numër, por nuk kanë ritmin e rritjes që kanë treguar grupet e tjera, sidomos europianët dhe aziatikët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat