Analiza Postuar më 2 Korrik 2025, 11:20

Kush i paguan shqiptarët? Shteti është përgjegjës për një të tretën e pagave në ekonomi.

Nga Xhorxhina Deda

Kush i paguan shqiptarët? Shteti është përgjegjës

Në një ekonomi në zhvillim si ajo e Shqipërisë, pyetja se kush mban mbi shpinë barrën e pagave është më shumë se statistikë, është një pasqyrë e strukturës reale të ekonomisë. Të dhënat më të fundit të INSTAT në lidhje më llogaritë kombëtare sipas sektorëve institucionalë për vitin 2024 shohim se kompensimi i punonjësve, pra paga dhe kontributet që u paguhen qytetarëve për punën e tyre, përbën 33.98% të gjithë vlerës së shtuar bruto të vendit, me një rritje të ndjeshme nga 30.41% në vitin 2023. Por kush i paguan realisht shqiptarët?

Në krye qëndron sektori jo-financiar, që përfshin kompanitë private në industrinë prodhuese, ndërtim, tregti dhe shërbime të tjera. Ky sektor ka mbuluar 52.78% të totalit të kompensimit të punonjësve në vitin 2024, një shifër që konfirmon rolin dominues të biznesit privat në pagesën e fuqisë punëtore shqiptare. Kjo peshë ka mbetur e qëndrueshme në katër vitet e fundit, me një rritje të lehtë nga 51.76% në 2021.

Në vend të dytë vjen sektori i administratës publike, që mbulon 27.4% të pagave në ekonomi. Pavarësisht një rënieje krahasuar me vitin 2021 kur mbulonte mbi 31% të totalit, shteti vazhdon të jetë një punëdhënës i madh, duke u afruar me një të tretën e gjithë pagesave të punës në vend.

Sektori i familjeve, që përfshin pagesat për punonjësit e angazhuar në biznese të vogla, punë të vetëpunësuarve ose ekonomitë familjare, ka shënuar rritje të qëndrueshme. Nga vetëm 11.67% në vitin 2021, pesha e tij në kompensimin total arriti në 15.1% në vitin 2024. Kjo rritje sinjalizon informalitet, por edhe një zgjerim të punës në vetëpunësim apo në mikrobiznese.

Ndërkohë, sektori financiar, që përfshin bankat dhe institucionet financiare, ka një peshë modeste në pagesën e punonjësve, me vetëm 3.27% të totalit në vitin 2024, shifër kjo në rënie nga viti 2022. Një rol akoma më të vogël ka sektori i Institucioneve Jobiznes (OJQ, fondacione, etj.) që shërbejnë për familjet, me vetëm 1.44%.

Pra, më shumë se gjysma e shqiptarëve paguhen nga biznesi privat, më shumë se një e katërta nga shteti, dhe pjesa tjetër nga familjet, financat dhe sektorët jo fitimprurës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat