Analiza Postuar më 10 Gusht 2026, 10:36

Kreditë me probleme zbresin në 3.7% në Qershor/ Niveli më i ulët që nga shkurti 2008. Likuiditeti shënon rënie të lehtë

Nga Xhorxhina Deda

Kreditë me probleme zbresin në 3.7% në Qershor/ Niveli më i

Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar kanë zbritur sërish, duke arritur në 3.70% të totalit të huave në fund të qershorit 2026. Ky është niveli më i ulët i regjistruar për këtë vit dhe sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, më i ulëti që nga shkurti i vitit 2008.

Në maj, kreditë me probleme përbënin 3.77% të totalit, ndërsa në qershor pesha e tyre ra me 0.07 pikë përqindjeje. Gjatë gjysmës së parë të vitit, raporti ka pasur disa luhatje të vogla. Ai ishte 3.85% në janar, 3.80% në shkurt, u rikthye në 3.85% në mars dhe ra në 3.75% në prill.

Për krahasim, në janar të vitit 2008 kreditë me probleme përbënin rreth 3.58% të totalit të huave, në shkurt 3.78% dhe në mars rreth 3.92%. Kjo do të thotë se niveli i qershorit 2026 është ndër më të ulëtit e regjistruar në më shumë se 18 vjet.

Përmirësim është shënuar edhe te treguesit që matin pjesën e kredive me probleme që mbetet pasi bankat llogarisin rezervat e krijuara për humbjet e mundshme. Raporti i tyre ndaj kapitalit të bankave ra në qershor krahasuar me majin, duke treguar një ulje të mëtejshme të rrezikut që kreditë e këqija përbëjnë për sistemin.

Ndërkohë, bankat vijojnë të kenë një nivel të lartë likuiditeti, megjithëse treguesi ka ardhur në rënie gjatë muajve të fundit. Aktivet likuide përbënin 29.38% të totalit të aktiveve në qershor, nga 29.93% në maj dhe 31.27% në janar.

Edhe fitimet e sektorit bankar mbeten në nivele të qëndrueshme. Kthimi nga kapitali, një nga treguesit kryesorë të përfitueshmërisë së bankave, ishte 12.13% në qershor, nga 12.46% në muajin maj. Ndërsa kthimi nga aktivet ishte 1.48%, pothuajse i pandryshuar nga 1.50% në maj.

Të dhënat tregojnë se cilësia e kredive në sistemin bankar vijon të përmirësohet. Pesha e huave që kanë probleme me shlyerjen është tashmë pranë niveleve më të ulëta të regjistruara në fillim të vitit 2008.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat