Analiza Postuar më 11 Maj 2026, 10:37

Kreditë me probleme rikthehen në 3.85% në mars/ Bankat ruajnë stabilitetin, huatë e këqija mbeten poshtë nivelit 4%

Nga Scan TV

Kreditë me probleme rikthehen në 3.85% në mars/ Bankat

Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar u rrit lehtë në 3.85% në fund të muajit mars 2026, pas nivelit 3.8% të regjistruar në shkurt. Të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” tregojnë se treguesi është rikthyer në të njëjtin nivel të janarit, duke mbetur gjithsesi nën pragun 4% dhe në nivele të konsideruara të qëndrueshme për sektorin bankar.

Lëvizja e tre muajve të parë të vitit tregon një stabilitet të përgjithshëm të cilësisë së portofolit të kredisë, megjithëse me luhatje të lehta mujore. Në janar 2026, raporti i huave me probleme ishte 3.85%, në shkurt zbriti në 3.8%, ndërsa në mars u ngjit sërish në 3.85%.

Paralelisht, treguesit e kapitalit shfaqin një forcim të mëtejshëm të pozitës financiare të bankave. Në mars, kapitali rregullator ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik arriti në 20.44%, ndërsa kapitali rregullator i nivelit të parë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik u regjistrua në 18.58%.

Ndërkohë, fitimet e sektorit bankar kanë shfaqur një ngadalësim gjatë tremujorit të parë të vitit. Treguesit e përfitueshmërisë ranë në mars krahasuar me janarin dhe shkurtin, duke sinjalizuar një zbutje të ritmit të fitimeve të bankave.

Edhe niveli i likuiditetit mbetet i lartë, megjithëse me një rënie të lehtë nga muaji në muaj. Kjo do të thotë se bankat vijojnë të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të përmbushur detyrimet afatshkurtra dhe kërkesat e klientëve.

Në tërësi, të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” tregojnë se sistemi bankar shqiptar mbetet i qëndrueshëm, me nivele të mira kapitali dhe likuiditeti, ndërsa raporti i kredive me probleme vijon të qëndrojë poshtë pragut 4%, pavarësisht luhatjeve të lehta gjatë muajve të parë të vitit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat