Analiza Postuar më 10 Qershor 2026, 10:51

Kreditë me probleme, në minimumin e 18 viteve/ Treguesi zbriti në 3.75% në prill. Bankat ruajnë stabilitetin

Nga Xhorxhina Deda

Kreditë me probleme, në minimumin e 18 viteve/ Treguesi zbriti në

Raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar zbriti në 3.75% në fund të muajit prill 2026, nga 3.85% që ishte një muaj më parë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga janari i vitit 2008, duke konfirmuar përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së portofolit të kredisë në sektorin bankar.

Pas luhatjeve të lehta gjatë muajve të parë të vitit, treguesi është rikthyer në trajektore rënëse. Në janar 2026 raporti i huave me probleme ishte 3.85%, në shkurt zbriti në 3.80%, në mars u rikthye sërish në 3.85%, ndërsa në prill ra në 3.75%. Ecuria tregon se niveli i kredive me probleme vijon të mbetet i ulët dhe larg niveleve të larta të regjistruara pas krizës financiare.

Përmirësimi pasqyrohet edhe në treguesit e tjerë të cilësisë së aktiveve. Huatë me probleme neto ndaj kapitalit zbritën në 6.27%, nga 6.56% në mars, ndërsa huatë me probleme neto ndaj kapitalit të nivelit të parë ranë në 5.71%, nga 5.96% një muaj më parë. Po ashtu, huatë me probleme neto ndaj totalit të aktiveve u ulën në 5.67%, nga 6% në muajin mars.

Ndërkohë, niveli i likuiditetit në sektorin bankar mbetet i lartë, megjithëse ka shënuar një rënie të lehtë nga muaji në muaj. Aktivet likuide përbënin 30.23% të totalit të aktiveve në fund të prillit, nga 30.65% në mars, duke treguar se bankat vijojnë të kenë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar detyrimet afatshkurtra.

Edhe përfitueshmëria e sektorit bankar mbetet në nivele të mira. Treguesi i kthimit nga kapitali (ROE) u rrit në 12.17% në prill, nga 11.83% në mars, megjithëse mbetet më i ulët krahasuar me fillimin e vitit.

Në tërësi, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sistemi bankar shqiptar vijon të ruajë një pozicion të shëndetshëm financiar, me nivel të ulët të kredive me probleme, kapitalizim të mirë dhe likuiditet të mjaftueshëm për të mbështetur aktivitetin kreditues.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat