Analiza Postuar më 28 Gusht 2026, 10:04

Kredia për ekonominë kalon pragun e 1 trilion lekëve/ Huatë e reja rriten me 32%, financimi për banesa ngjitet ndjeshëm

Nga Xhorxhina Deda

Kredia për ekonominë kalon pragun e 1 trilion lekëve/ Huatë

Kredia për ekonominë ka kaluar për herë të parë pragun e 1 trilion lekëve, duke shënuar një nivel të ri historik. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut 2026 stoku total i kredisë arriti në mbi 1 trilion lekë , nga rreth 993 miliardë lekë në qershor.

Vetëm brenda një muaji, kredia për ekonominë u zgjerua me rreth 7.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit rritja arrin në më shumë se 61 miliardë lekë. Kalimi i kufirit të 1 trilion lekëve konfirmon zgjerimin e vazhdueshëm të financimit të ekonomisë nga sistemi bankar.

Rritje e fortë është regjistruar edhe te kreditë e reja. Gjatë muajit korrik, bankat disbursuan gjithsej 38.2 miliardë lekë hua të reja, nga 28.9 miliardë lekë në korrik të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 32% dhe është niveli më i lartë për muajin korrik në serinë e të dhënave që nga viti 2016.

Bizneset vijojnë të marrin pjesën më të madhe të financimit. Kreditë e reja për korporatat private arritën në 24.2 miliardë lekë, nga 19.1 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej rreth 26.8%.

Edhe më e fortë ishte rritja e huamarrjes nga individët. Kreditë e reja për individët arritën në 13.9 miliardë lekë, ose rreth 42% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe ky është niveli më i lartë i regjistruar për një muaj korrik në periudhën e të dhënave të publikuara.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje vjen nga kreditë për blerjen e banesave. Vetëm gjatë korrikut, bankat dhanë rreth 7 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, nga 4.65 miliardë lekë një vit më parë. Rritja vjetore arrin në mbi 50%, duke treguar se kërkesa për financim bankar për blerjen e pronave vijon të mbetet shumë e fortë.

Të dhënat e korrikut tregojnë kështu një përshpejtim të kreditimit si për bizneset, ashtu edhe për familjet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat