Analiza Postuar më 28 Mars 2025, 12:09

Kredi për shtëpi, shifra nga individët prek rekord/ Bizneset më pak të “etur” për hua në muajin shkurt të këtij viti

Nga Xhorxhina Deda

Kredi për shtëpi, shifra nga individët prek rekord/ Bizneset

Kredia e re që ka dhënë sektori bankar gjatë muajit Shkurt të këtij viti fiksohet në 28.7 miliardë lekë, tregojnë të dhënat më të fundit nga "Banka e Shqipërisë". Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur kreditë e reja fiksoheshin në 29.3 miliardë lekë, rënia vlerësohet pranë 2.1%. Nga ana tjetër, krahasuar me muajt Shkurt të viteve të mëparshme, shifrat sinjalizojnë se këtë vit kjo vlerë është e dyta më e lartë.

Ajo që vihet re nga të dhënat është fakti se ndikimin më të madh në rënien e kredisë së re për muajin shkurt e ka dhënë sektori privat.

Huaja e re për sektorin privat fiksohet pranë 17.8 miliardë lekëve, nga 21.4 miliardë lekë që ishte gjatë Shkurtit të vitit të kaluar. Rënia fiksohet pranë 17%. Vlen të theksojmë se krahasuar me të njejtin muaj të viteve të mëparshme, Shkurti i këtij viti është ndjeshëm më i lartë pa marrë parasysh vlerën e vitit 2024.

Sa i përket individëve ndërkohë, kredia e re në Shkurt të këtij viti kap vlerën më të lartë ndonjëherë prej 10.6 miliardë lekëve, nga 8 miliardë lekë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja për këtë tregues fiksohet në rreth 32.9%. Për këtë tregues viti aktual regjistron rekord që nga viti 2016-të.

Ndërkohë, nëse i referohemi kredisë së re për individë për blerje banese sërisht përballemi me një shifër rekord prej 5.62 miliardë lekësh. Rritja është e ndjeshme prej 34.4%, nga 4.13 miliardë lekë që ishte kjo vlerë në Shkurtin e vitit 2024.

Pra në këto kushte mund të themi se rritja e besimit të konsumatorëve në stabilitetin ekonomik mund të ketë nxitur individët të marrin kredi për konsum dhe investime në pasuri të paluajtshme. Kohët e fundit po vihet re një rritje e ndjeshme e kredive sidomos për blerje banese.

Po ashtu ekonomia shqiptare ka përjetuar një rritje të ndjeshme të totalit të kredisë, duke reflektuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe një besim të shtuar në sektorin financiar. Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë për ekonomine ka arritur në 847.5 miliardë lekë në Shurt të këtij viti.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat