Analiza Postuar më 4 Qershor 2025, 14:26

Kostot në ndërtim, më lirë se një vit më parë/ Shpenzimet për paga dhe makineri "udhëhoqën" rritjen në tre muajt e parë

Nga Eldiona Serani

Kostot në ndërtim, më lirë se një vit më

Ndërtimi po luan një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, sidomos vitet e fundit, ku numri i ndërtimeve dhe vlera e tyre kanë pësuar një rritje të ndjeshme, veçanërisht në periudhën pas pandemisë.

Gjithashtu, edhe çmimet e qirasë dhe tregu i pasurive të paluajtshme po lulëzojnë gjithnjë e më shumë. Që nga tremujori i fundit i vitit 2021, kostoja e ndërtimit është shtrenjtuar ndjeshëm si në bazë tremujore, ashtu edhe vjetore.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë të vitit 2025 arriti në 113.1, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2021.

Nëse flasim për ndryshimin nga tremujori i fundit i vitit 2024, është shënuar një rritje prej 0.4%, ndërsa ndryshimi vjetor është 1%, nga 3.4% që shënonte nga vjet.

Në këto vitet e fundit, orientimi më i madh i investimeve është në ndërtim I cili ka qenë ndër kontribuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike.

"Scan Intel" ka analizuar të dhënat e INSTAT për të kuptuar ecurinë e kostove të ndërtimit.

Në terma tremujorë, ndryshimi më i madh në kosto ka ndodhur në kategorinë “Shpenzime për paga” me 1.7%, e pasuar nga grupet: “Kosto të tjera” me 1.1%, “Shpenzime makinerie” me 0.6% dhe “Shpenzime transporti” me 0.2%.

Ndërsa në krahasim vjetor, rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur sërish te shpenzimet për paga, të cilat kanë pasur një rritje prej 5.2%. Rritja është pasuar edhe nga grupet: “Shpenzime makinerie” me 2.4%, “Kosto të tjera” me 2%, “Shpenzime transporti” me 1.7% dhe “Shpenzime energjie” me 0.6%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat