Analiza Postuar më 5 Mars 2026, 13:04

Kostot e prodhimit rriten lehtë/ Shifra në tremujorin e katërt 2025 nuk paralajmëron shtrenjtim për konsumatorin

Nga Scan TV

Kostot e prodhimit rriten lehtë/ Shifra në tremujorin e katërt

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e katërt të vitit 2025 arriti 129.6, duke shënuar një rritje shumë të vogël vjetore prej 0.2%. Theksojmë se ky tregues flet për kostot që kanë bizneset e prodhimit para se produktet të mbërrijnë te konsumatori.

Megjithatë, disa sektorë kanë pasur rritje më të fortë të çmimeve. Industria përpunuese udhëhoqi këtë rritje me 0.5%, veçanërisht prodhimi i mobiljeve me 1.5% dhe produktet farmaceutike me 1.4%. Edhe sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve shënoi rritje të lehtë, 0.2%.

Në tregun vendas, prodhuesit u përballën me një rritje të përgjithshme prej 0.3%, kryesisht në industrinë përpunuese me një rritje prej 0.8%.

Nga ana tjetër, çmimiet e prodhimit për eksport ranë me 0.4%, kryesisht për shkak të uljes së çmimeve në energjinë elektrike, gaz dhe avull me 1.8% dhe në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese.

Në krahasim me tremujorin e tretë të 2025-ës, ndryshimet janë minimale. Indeksi i përgjithshëm u rrit vetëm 0.05%, ndërsa rritja më e madhe vërehet sërish në industrinë përpunuese me 0.2%. Disa sektorë, si metalurgia dhe pajisjet elektrike, patën ulje të çmimeve.

Pra, çmimet po rriten ngadalë, dhe kjo tregon se për momentin presioni mbi çmimet e tregut për konsumatorët mbetet i ulët. Ndërkohë të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e mallrave të importuara shënuan ulje vjetore me 0.5% në tremujorin e fundit të vitit 2025.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat