Analiza Postuar më 3 Korrik 2025, 12:05

Konsumi i familjeve u rrit me 100 euro në muaj/ Ekonomia shqiptare, e varur nga konsumatorët. Kontribuojnë me 69% në PBB

Nga Xhorxhina Deda

Konsumi i familjeve u rrit me 100 euro në muaj/ Ekonomia shqiptare, e varur

Viti 2024 i ka shtuar familjeve shqiptare rreth 95.8 miliardë lekë në formë konsumi. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2024 japin panoramën e qartë të impaktit të konsumit të familjeve në ekonominë shqiptare.

Kështu, konsumi final i popullatës është rritur me 3.71% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, nga rreth 1.64 trilionë lekë, në 1.74 trilionë lekë. Kjo rritje përkthehet në një kontribut prej 2.6% ndaj të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky indikator i referohet shpenzimeve totale për mallra dhe shërbime nga ana e familjeve rezidente për të plotësuar kërkesat e tyre në një vit, dhe përfshin disa zëra, si blerjen e produkteve dhe shërbimeve të perditshme, shpenzimet shëndetësore, blerjen e autoveturave, shpenzimet e qerasë, por edhe shpenzimet e qerasë së nënkuptuar (ku përfshihen edhe ato familje që në fakt nuk paguajnë një të tillë), etj.

Pra, shifrat tregojnë se gjatë vitit të kaluar, konsumi i familjeve shqiptare është rritur me rreth 95 miliardë lekë, ose rreth 958 milionë euro në vit. Në rast se këtë shifër do të ndanim për cdo familje (sipas Censit 2023 në Shqipëri numërohen rreth 755,950 familje) atëherë rezulton se familjet shqiptare kanë konsumuar mesatarisht rreth 1,200 euro më shumë, krahasuar me vitin 2023. Në muaj kjo shifër fiksohet në rreth 100 euro më shumë për cdo familje.

Shifrat e Institutitit të Statistikave në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë gjatë vitit 2024 tregojnë se, pesha e konsumit të familjeve shqiptare në ekonominë e vendit vlerësohet 68.92%. Pra, 7 nga 10 lekë që lëvizin në ekonomi vijnë nga shpenzimet e familjeve. Kjo tregon se ekonomia shqiptare është e varur nga konsumatori familjar, gjë që e bën ekonominë të ndjeshme ndaj çdo ndryshimi në të ardhurat apo besimin e konsumatorëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat