Analiza Postuar më 3 Qershor 2026, 11:26

Kapitali i huaj forcon pozitat në teknologji dhe turizëm/ Ndryshon harta e investitorëve. Më pak nga BE-ja, rriten vendet jashtë unionit

Nga Xhorxhina Deda

Kapitali i huaj forcon pozitat në teknologji dhe turizëm/ Ndryshon

Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin aktive 6,884 ndërmarrje të huaja dhe të përbashkëta, duke konfirmuar praninë e konsiderueshme të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare. Edhe pse krahasuar me fundin e vitit 2024 numri i tyre ka pësuar një rënie të lehtë prej 123 ndërmarrjesh, të dhënat tregojnë se investitorët e huaj po orientohen gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me potencial të lartë rritjeje, si teknologjia dhe turizmi.

Sipas statistikave, sektori i shërbimeve vijon të dominojë aktivitetin e ndërmarrjeve të huaja në vend. Rreth 5,496 operojnë në shërbime, duke përbërë afro katër të pestat e totalit. Brenda këtij grupi dallohen veçanërisht informacioni dhe komunikacioni, si edhe aktivitetet e lidhura me turizmin.

Rritjen më të fortë e ka shënuar sektori i informacionit dhe komunikacionit. Numri i ndërmarrjeve të huaja në këtë aktivitet u rrit në 722 në fund të vitit 2025, nga 663 një vit më parë.

Ecuri pozitive ka regjistruar edhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Numri i ndërmarrjeve aktive u rrit në 350, nga 339 në fund të vitit 2024. Ky zhvillim lidhet ngushtë me zgjerimin e industrisë së turizmit, e cila vitet e fundit është kthyer në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare dhe një ndër sektorët më tërheqës për investitorët e huaj.

Po ashtu, rritje është shënuar edhe në bujqësi, pyje dhe peshkim, ku numri i ndërmarrjeve u ngjit në 72, nga 68 një vit më parë. Megjithëse mbetet një sektor me peshë më të vogël krahasuar me shërbimet dhe industrinë, rritja tregon se investitorët po shohin mundësi të reja në prodhimin bujqësor dhe në aktivitetet e lidhura me eksportet agro-ushqimore.

Një tjetër zhvillim pozitiv lidhet me origjinën e kapitalit. Ndërsa numri i ndërmarrjeve nga vendet e Bashkimit Europian ka shënuar rënie, bizneset me kapital nga vendet jashtë BE-së janë rritur nga 2,754 në 2,786. Kjo tregon një diversifikim më të madh të investimeve të huaja dhe zgjerim të interesit nga tregje të reja ndërkombëtare.

Megjithatë, tregtia mbetet aktiviteti me numrin më të lartë të ndërmarrjeve të huaja, me 1,433 biznese aktive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat